Aktuale

Veseli anulon vizitën në Britaninë e Madhe

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka anuluar një vizitë të tij zyrtare në Britaninë e Madhe.

Burime të besueshme të Gazetës Express bëjnë të ditur se Veseli është kthyer në Kosovë.

Sipas këtyre burimeve, ai ka fluturuar sot nga Londra drejt Tiranës, nga ku më pas është nisur për në Prishtinë.

Ndërkohë, zyrtarë nga Kabineti i Veselit nuk kanë komentuar rreth këtyre pohimeve.

Veseli kishte udhëtuar të dielën për në Mbretërinë e Bashkuar, ku, me ftesë të Partisë Konservatore, të kryeministres britanike, Theresa May, ishte paraparë të zhvillonte disa takime me udhëheqjen e kësaj partie, njëherësh zyrtarë të lartë britanikë.

Veseli pritej të diskutonte me ta për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, në rrugën e integrimit të Kosovës në strukturat euroatlantike.

Veseli ishte ftuar të merrte pjesë edhe në punimet e konventës së Partisë Konservatore, e cila po i zhvillon punimet në Birmingham.

Kreu i PDK’së kishte planifikuar të bisedonte me zyrtarë të lartë nga kjo forcë politike për të thelluar bashkëpunimin ndërmjet PDK’së dhe Partisë Konservatore britanike.

the authorE B