Sport

Vesel Limaj: Bunjaku më ftoi kur isha pjesë e kuqezinjve, ndihem i tradhtuar

U afrua te Bylis në limitet e merkatos verore dhe tashmë në formacionin e Stavri Nicës është mjaft i rëndësishëm. Vesel Limaj, lojtari 20-vjeçar i lindur dhe rritur në Gjermani ka dhënë një intervistë enkas për newport.al ku ka treguar synimet e tij me Bylisin, por edhe ëndrrën e madhe për t’iu bashkuar përfaqësueses kuqezi.

Mesfushori i avancuar është i bindur për cilësitë e tij, ndaj thotë që në çdo moment është i gatshëm për t’iu bashkuar kombëtares shqiptare.

Mes Kosovës dhe Shqipërisë, zgjedhja e tij është e padiskutueshme, sigurisht kombëtarja “Nanë” siç e thotë ai, kuqezinjtë.

Limaj zbulon një të vërtetë të hidhur, teksa tregon që Albert Bunjaku kishte pasur një takim me të në kohën kur ai ishte grumbulluar për provë nga kombëtarja shqiptare. Trajneri i përfaqësuese së Kosovës e kishte ftuar t’i bashkohej skuadrës së tij, madje duke i premtuar edhe një vend titullari. Por çfarë ndodhi mes lojtarit dhe trajnerit kosovar?

Vesel jeni pjesë e Bylisit, ndërsa më parë ke qenë pjesë e kombëtares shqiptare. Jeni vetëm 20-vjeç dhe e ardhmja juaj duket e ndritur. Ç’synon?

Kam qenë pjesë e përfaqësueses së Kosovës U-21. Më herët kam marrë pjesë vetëm në grumbullimet e kombëtares shqiptare.

Po së fundmi nuk jeni ftuar as nga kuqezinjtë apo përfaqësuesja e Kosovës?

Jo, nuk jam ftuar. Kam pasur shumë dëshirë të jem pjesë e kuqezinjve. Kam pritur një ftesë, por arsyen nuk e di pse nuk më ka ardhur. Gjithashtu pres edhe nga Kosova të marr një ftesë.

Duhet të zgjidhni, kuqezinjtë apo Kosovën?

Ëndrra ime ka qenë dhe është të vesh fanelën kuqezi.

Luani në Kategori të Parë me Bylisin. S’mendon se është e vështirë t’i* bashkoheni kombëtares shqiptare duke qenë se FSHF-ja është e përqëndruar kryesisht në ligat elitare edhe jashtë vendit?

Jo s’besoj. Unë isha në Austri me kontratë profesionale, por duke qenë se ish-ekipi im ra një ligë më poshtë, ndërpreva kontratën dhe kështu me menaxherin tim vendosëm për një sezon të luaj për Bylisin.

Pse nuk zgjodhe Superioren, por pikërisht Bylisin?

Po ishte kohë shumë e shkurtër dhe unë kisha dëshirë që të nënshkruaja një kontratë sa më shpejt vetëm për një sezon.

Niveli i Kategorisë së Parë, mendoni se është i duhuri për të pasur futbollistë në përfaqësuese?

Niveli i ligës së parë besoj se është i denjë për të përcjellë futbollistë në Kombëtare. Në Shqipëri nuk dallon shumë Superliga me Kategorinë e Parë.

Kur jeni grumbulluar me Kombëtaren? Na trego pak ç’ka ndodhur…

Unë kam qenë dy herë në provë, një herë në Obliq të Kosovës me U-17 e Shqipërisë ku kam arritur të shënoj 4 gola dhe po ashtu në Frankfurttë Gjermanisë me U-19, kur ishte trajner Foto Strakosha. Në atë ndeshje shënova tre gola. Po te ne dua të them që nuk trajtohen talentët.

Kur thoni që nuk trajtohen talentët, nënkuptoni se FSHF-ja nuk zgjedh ata që e meritojnë?

Nuk dua të flas. Kjo le të mbetet në ndërgjegjen e FSHF-së.

Nëse nuk merr ftesë, ç’do të bësh?

Dua t’iu tregoj një të vërtetë. Kur isha i ftuar për U-19-tën e Shqipërisë në Frankfurt, më erdhi atje Albert Bunjaku nga Kosova. U takuam në Berlin dhe më kërkoi që të luaj për Kosovën duke më premtuar vendin e titullarit, por në fund u tradhëtova nga të dyja përfaqësueset.

Por ti do ta lije Shqipërinë për Kosovën?

Jo. Nuk do e lija se është kënaqësia ime të vesh petkun e kombëtares së Shqipërisë.

Ti je lindur dhe rritur në Gjermani. Ke një pasaportë shqiptare?

Jo nuk e kam.

Synimet e tua cilat janë?

Jam nën kontakte me disa klube në Europë. Besoj se së shpejti do të keni lajme nga unë.

Pra do të largoheni nga Bylis?

Siç e thashë jam vetëm për këtë sezon me Bylis.

Si shkon aventura juaj në Ballsh?

Shumë mirë. Jemi në vendin e dytë, me dy pikë pas Tiranës dhe besoj se do të kryesojmë pas pak kohësh. Jam i kënaqur pasi aktivizohem në çdo takim.

Stavri Nica apo Bledar Devolli?

Të dy janë trajnerë shumë të mirë dhe profesionistë.

Dëshira jote është të jesh pjesë e kombëtares shqiptare. Do t’i kërkosh diçka publikisht trajnerëve kuqezi?

Me shumë dëshirë dhe zemër pres që të vesh petkun e kombëtares. Unë jam i gatshëm për të veshur fanelën kuqezi në çdo kohë që ata do të më kërkojnë.

Marrë nga portali Newsport.al