Aktuale

Veç edhe një muaj kohë për gjykatat e Kosovës që t’i inkuadrojnë serbët nëpër institucionet e drejtësisë

17 tetori është data e fundit e caktuar për fillimin e zbatimit të Marrëveshjes së Brukselit për drejtësi.

Në Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe atë Prokurorial thonë se edhe pse janë të përgatitur për zbatimin e Marrëveshjes, nuk e dinë nëse në këtë datë do të fillojë të zbatohet marrëveshja, e cila parasheh që gjykatësit dhe prokurorët serbë të integrohen në sistemin e drejtësisë së Kosovës.

Marrëveshja për Drejtësi e arritur në Bruksel në vitin 2015, pas disa shtyrjeve, më në fund pritet të fillojë të zbatohet në praktikë. Zbatimi i marrëveshjes, e cila parasheh që gjykatësit dhe prokurorët serbë të integrohen në sistemin e drejtësisë së Kosovës, pritet të ndodhë në tetor të këtij viti. Kështu së fundmi janë dakorduar edhe presidenti i Kosovës dhe ai i Serbisë.

Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Nehat Idrizi, duke shpresuar se marrëveshja do fillojë të zbatohet në praktikë, thotë se Këshilli Gjyqësor i Kosovës prej kohësh është e përgatitur për fillimin e punës edhe në veri.

“Me qenë se tash të dy presidentët, ai i Kosovës dhe Serbisë, janë zotuar në Bruksel se do të fillojë implementimi i marrëveshjes muajin e ardhshëm, më 17 tetor, ne po shpresojmë që më në fund do të fillojë implementimi i kësaj marrëveshjeje. Kemi qenë të përgatitur që implementimi i marrëveshjes të fillojë në muajin janar, mirëpo nuk ndodhi. Por shpresojmë që tani do të fillojë”, pohoi Idrizi për Radio Kosovën.
Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Blerim Isufaj, tha për Radio Kosovën se janë të gatshme për zbatimin e marrëveshjes, pasi që kanë siguruar objektin dhe kanë rekrutuar stafin. Isufaj thotë se fillimi i zbatimit të marrëveshjes varet direkt nga vullneti i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë.

Dyshime në fillimin e zbatimit të marrëveshjes ka edhe shoqëria civile. Ehat Miftaraj, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se Kosova ende nuk i ka plotësuar kushtet që më 17 tetor të fillojë zbatimin e marrëveshjes.

“Ne besojmë që do të ketë shtyrje, sepse për vetë faktin që ne tani më jemi në muajin shtator, dhe ende nuk e kemi në radhë të parë dekretimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, atëherë del në përfundim se edhe ky afat do të shtyhet.”

Në Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe atë Prokurorial thonë se integrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë në sistemin e drejtësisë së Kosovës do të ishte një hap shumë me rëndësi për vendin. Me fillimin e zbatimit të marrëveshjes për drejtësi, do të shuhen gjykatat dhe prokuroritë serbe në Kosovë, të cilat që nga paslufta veprojnë ilegalisht. /RTK

the authorE B