Presidenti i La Ligës, Javier Tebas, iu është përgjigjur drejtorit të Manchester Cityt, Khaldoon Al-Mubarak, i cili e akuzoi Tebas se u tregua racist gjatë zënkës së vazhdueshme mes tyre.
Drejtuesi i Manchester Cityt kishte thënë se klubet dhe ligat e tjera të Evropës janë bërë xhelozë ndaj sukseseve të klubit anglez. Presidenti i La Ligës iu përgjigj këtij pretendimi, duke thënë se Manchester City e ka dëmtuar futbollin me shpenzimet e tyre të financuara nga shteti, transmeton Gazeta Express.
Deklarata e Tebasit e nxiti një reagim të ashpër nga Al-Mubaharak, i cili tha se është gabimi madh ta inkuadrosh kombësinë në këtë debat.
Megjithatë, zënka mes këtyre të dyve nuk përfundoi aty dhe tani Tebasi iu është përgjigjur pretendimeve se ai është racist, duke thënë se injoranca e kishte shtyrë Al-Mubarakun ta bënte një pretendim të tillë.
“Mendoj se ka shumë injorancë për disa gjëra të caktuara, së pari për mënyrën se si funksionojnë bordet për kontrollimin e financave të klubeve në Evropë dhe injorancë sa i përket hileve financiare”, ka thënë Tebas.
“Unë nuk jam aspak racist. Nuk kam asnjë problem me kombësinë e tyre. Si mund të jem racist nëse dy ndër nipërit e mi janë arabë? Unë do të isha racist kundër vetë nipërve të mi. Kjo e dëshmon injorancën dhe sa e lehtë është të thuash diçka pa e njohur një njeri”.
Manchester City mund të përjashtohet nga garat e UEFA-s, Liga e Kampionëve dhe Liga e Evropës, për një vit për shkak të parregullsive financiare. Ky vendim po shqyrtohet nga bordi përkatës në UEFA.