Vetëm edhe 3 për qind e vendvotimeve kanë mbetur të panumëruara deri në dhënien e rezultateve preliminare të zgjedhjeve të mbajtura në Kosovë gjatë ditës së djeshme. Kanë mbetur edhe më pak se 100 vendvotime që të numërohen deri në procesin final.
Në një prononcim për Gazetën Express, kryesuesja e KQZ-së, Valdete Daka, ka bërë të ditur se procesi zgjedhor ka shkuar i qetë. Ajo ka bërë të ditur se vizitat e shumta që ka pasur dje ueb-faqja e KQZ-së, kanë bërë që kjo faqe të ketë disa probleme.
Daka ka sqaruar se trendi i vizitave në faqen e KQZ-së, ka qenë mbi 2 milionë vizita në 24 orë.
“…sa i përket rënies së faqes ne kemi pasur më shumë se 2 milionë klikime brenda dhe kjo është arsyeja se pse ka rënë serveri, dhe derisa është kthyer në funksion thjesht ka pasur shumë klikime dhe nuk ka mundur t’i përballojë. Kemi pas pak probleme, pak punë, por që u kthye sërish në punë. Ka pas trafik të madh në ueb-faqen tonë dhe sistemi automatikisht e ka shkyçur. Ka qenë çështje teknike”, ka sqaruar Daka.
Ndërkohë, ajo ka thënë se sot KQZ-ja nuk pritet që të ketë konferencë për media për t’i bërë publike rezultatet preliminare. Ajo ka thënë se të gjitha do të bëhen publike në ueb faqen e KQZ-së.
“Mund të iu informoj se kanë mbetur vetëm edhe pak fletëvotime derisa të dhënat të regjistrohen dhe procesohen ne ueb-faqen e KQZ-së. Unë dua t’ju ftoj që të vazhdoni t’i referoheni të dhënave në KQZ edhe në ato 100 vendvotime a më pak që kanë mbetur”, ka thënë ajo.
Tutje Daka ka treguar se KQZ-ja, nesër do të mblidhet për të diskutuar lidhur me rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura të dielën në Kosovë.
“Gjatë ditës së nesërme pritet që të kemi një mbledhje ku do të marrim prej terrenit, grumbullimin e materialit në të gjitha komunat e Kosovës. Ndërkohë që nga sot e tutje, puna jonë do të fokusohet në nxjerrjen e rezultatit përfundimtar”, ka përfunduar ajo. /GazetaExpress/