Aktuale

U tha se Shpend Ahmeti është duke u hetuar nga Prokuroria Speciale, kjo është përgjigja që japin zyrtarët e Komunës

Komuna e Prishtinës është në dijeni të hetimeve të Prokurorisë Speciale. Kështu thotë zëdhënësi i Komunës se Prishtinës, Adonis Tahiri duke shtuar se në këtë Komunë ka pasur vazhdimisht hetime për tema të ndryshme.

Ai ka treguar për ‘Gazeta Blic’, se këto hetime vijnë nga kundërshtarët politik.

E shkak, sipas tij, për riaktualizimin e kësaj çështje janë pikërisht zhvillimet e fundit në vend.

“Gjatë mandatit të parë kundërshtarët politik kanë dërguar dhjetëra kallëzime penale. Në Komunë të Prishtinës ka pasur vazhdimisht hetues për tema të ndryshme – gjë që e kemi theksuar shpeshëherë deri tash. Nuk është befasi që këto tema riaktualizohen pas ngjarjeve të fundit politike në vend”, ka deklaruar Tahiri përcjell Gazeta Blic.

Në media është raportuar se Shpend Ahmeti po hetohet nga Prokuroria e Shtetit për punësime partiake në Komunën e Prishtinës, gjatë mandatit të tij të parë, të militantëve të VV-së pjesë e së cilës ishte deri para 3 muajve.

Ka qenë pikërisht Partia Demokratike e Kosovës, ajo që në gusht të vitit 2017 deponoi në Prokurori të Shtetit kallëzimet penale ndaj qeverisjes së atëhershme Ahmetit dhe VV-së në Prishtinë pretendonin se deri në 500 ka shkuar numri i të punësuarve kundërligjshëm nga kryetari i Prishtinës, që vetëm pak muaj më pas fitoi mandatin e dytë në krye të kryeqytetit.

Ndryshe, Shpend Ahmeti, për herën e dytë ka fituar mandatin për Kryetar të Komunës së Prishtinës si kandidat nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.

Në ditën e mërkurë, Ahmeti u zgjodh Kryetar i Partisë Socialdemokrate. Partia Socialdemokrate ka gjithsej 12 deputetë, të cilët po ashtu kishin arritur në këto poste si kandidatë të Lëvizjes Vetëvendosje.

the authorE B