Rajon & Botë

Trump tallet me akuzuesen e gjyqtarit Kavanaugh

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka tallur hapur të martën profesoreshën, Christine Blasey Ford, e cila ka akuzuar të nominuarin për Gjykatën Supreme, Brett Kavanaugh, për sulm seksual.

Ai ka bërë shaka me paaftësinë e saj për të kujtuar detajet e natës që supozohet se ka ndodhur sulmi.

Kjo deklaratë, njëherësh përbën ndryshim drastik të qasjes së Trumpit ndaj Ford, të cilën më parë e ka cilësuar “dëshmitare shumë kredibile”, pas dëshmisë së saj në Komitetin Gjyqësor të Senatit.

“Kam pasur një birrë, apo jo?”, ka thënë Trump duke tentuar të rikthejë në skenë, momentin kur Ford është përgjigjur para Komitetit të Senatit, derisa ka mbajtur një fjalim në Misisipi.

“Si keni shkuar në shtëpi? Nuk më kujtohet. Si keni shkuar atje? Nuk më kujtohet. Ku ka qenë vendi? Nuk më kujtohet. Sa vjet më parë ka ndodhur? Nuk e di, nuk e di, nuk e di”, ka thënë Trump, derisa pjesëmarrësit kanë brohoritur në mbështetje të tij.

“Në cilën lagje ka ndodhur? Nuk e di. Ku është shtëpia? Nuk e di. Poshtë shkallëve, lart shkallëve, ku ka ndodhur? Nuk e di. Mirëpo kam pasur një birrë. Kjo është e tëra që kujtoj. Dhe jeta e njeriut shkatërrohet”, ka shtuar presidenti amerikan.

Ky sulm është kritikuar ashpër nga shumë persona, të cilët kanë thënë se tallje të tilla, janë arsye se pse të mbijetuarit e sulmeve seksuale kanë frikë të dalin para publikut.

“Një sulm brutal dhe i pashpirt kundër Christine Blasey Ford”, ka thënë ish-zyrtari i Departamentit amerikan të Drejtësisë, Michael Bromwich, i cili përfaqëson Fordin.

“Keni ndonjë dyshim se pse ajo ka qenë e tmerruar të dalë publikisht ashtu siç janë edhe të mbijetuarit tjerë? Ajo është profil i guximit, ai është profil i frikacakut”, ka thënë ndër të tjera ai.

Në dëshminë e saj tejet emocionale para Komiteti Gjyqësor të Senatit të enjten e kaluar, të shikuar nga 20 milionë amerikanë në transmetim të drejtpërdrejt, Ford ka thënë se është “100 për qind” e sigurt se Kavanaugh ka tentuar ta dhunojë atë në verën e vitit 1982, derisa ata kanë qenë në një festë me nxënës tjerë.

Profesoresha Christine Blasey Ford gjatë dëshmisë para Komitetit Gjyqësor të Senatit.

the authorE B