Aktuale

Tragjedia e Zhabarit, varroset 4 vjeçarja që vdiq nga goditja e dyerve të oborrit

Si çdo ditë tjetër Erëblina e vogël vetëm 4-vjeçe luante me vajzën e hallës së saj, Sarën, në oborrin e shtëpisë. Por pasditja e së dielës doli jetë e kobshme për 4-vjecaren. Në oborrin ku dy vajzat luanin në fshatin Zhabar të Mitrovicës, u shembë dera, duke e zënë kështu Erëblinën. Ajo nuk mundi që t’iu mbijetojë plagëve të marra duke ndërruar jetë në vendin e ngjarjes. Varrimi i vogëlushes u bë sot në varrezat e fshatit Gushac të Mitrovicës. Ndërkohë, vajza tjetër Sara, mori lëndime në këmbë, por gjendja e saj shëndetësore është stabile.

Përmes dyerve të cilat i morën jetën Erëblina Sahitit, 4-vjeçe, në pasditen e sotme po kalonin me dhjetëra qytetarë. Të gjithë këta po shkonin në shtëpinë e Gëzimit, babait të Erëblinës së vogël për t’i shprehur ngushëllime për ngjarjen tragjike e cila i mori jetën së bijës së familjes Sahiti.

E gjithë ngjarja ndodhi aksidentalisht. Përderisa tek dyert e shtëpisë në fshatin Zhabar të Mitrovicës po luanin Erëblina dhe Sara, dera kryesore e shtëpisë doli nga vendi dhe i zuri ato.

Gazeta Express, sot ka qëndruar në shtëpinë e viktimës, por familjarët për shkak të gjendjes emocionale nuk dhanë detaje rreth asaj se çfarë ndodhi dje. Por ata shkurt deklaruan se aksidentalisht të bijën e tyre e zuri dera kryesore e shtëpisë duke i shkaktuar kështu lëndime vdekjeprurëse.

Menjëherë pas rastit, familjarët e Erëblinës, e dërguan atë në spitalin rajonal të Mitrovicës, por aty mjekët vetëm e konstatuan vdekjen e saj.

Nga rrëzimi i dyerve, lëndime pësoi edhe vajza e hallës së Erëblinës, Sara Peci, e cila po i vazhdon trajtimet mjekësore, por gjendja e saj është jashtë rrezikut për jetën.

Për këtë rast gjatë ditës së sotme ka folur edhe Policia e Kosovës. Sipas policisë, gjatë orës 16:00 të pasdites së diel, në spitalin e Mitrovicës janë dërguar dy vajza të mitura. Sipas mjekut kujdestar njëra nga vajzat ka marrë lëndime vdekjeprurëse në vendin e ngjarjes, andaj mjeku vetëm e ka konstatuar vdekjen.

Ndërkohë që viktima tjetër sipas organeve të hetuesisë gjendet jashtë rrezikut për jetën.
Turpi i pajetë i katërvjeçares me urdhër të prokurorit u është dorëzuar familjarëve për ceremoninë mortore. Ndërkohë që viktima tjetër është duke u trajtuar në spital.

“Raportohet se në spitalin e Mitrovicës janë sjellë dy fëmijë viktima femra K-shqiptare për ndihmë mjekësore. Sipas mjekut, njëra nga viktima është sjellë pa shenja jete, ndërsa viktima tjetër ka pësuar lëndime të rëndë, mirëpo është jashtë rrezikut për jetën. Viktimat janë lënduar nga dyert e oborrit. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës u është liruar familjarëve për ceremoni mortore”, thuhet në njoftimin e policisë./GazetaExpress/

the authorE B