28 Maji 2017 do të mbahet mend në histori si data e lamtumirës së një prej lojtarëve më të mëdhenj të futbollit, Francesco Totti.
Një mesfushor i pa konkurrentë, në gjendje të shënojë gola, të japë asiste, me klas të jashtëzakonshëm dhe personalitet e profesionalizëm të pashoq.
Një ndër mesfushorët më të mirë në histori të Italisë, Francesco Totti, i dha lamtumirën futbollit.
Legjenda romake u përshëndet me tifozët dhe klubin pas fitores 3:2 ndaj Genoas në xhiron e fundit të sezonit, ku Roma siguroi pjesëmarrjen në Ligën e Kampionëve.
Pas fjalimit emocionues në “Olimpico”, Totti shfrytëzoi rrjetet sociale për t’i falënderuar sërish tifozët, ku shkroi: “Faleminderit!”.
786 ndeshje, 307 gola, 123 asiste, 71 penalti, 58 paraqitje për Italinë, 40 vjeçar, 25 sezone, 20 trajner, 3 dekada, një klub, Mbreti i Romës, ky është Francesco Totti, lamtumirë legjendë. /Gazeta Express/