Lojtari i skuadrës argjentinase të ligës së katërt Pacifico, Federico Allende rrezikon të përjashtohet nga futbolli, pasi që pranoi se gjatë ndeshjes së Kupës kundër Estudiantes kishte ther me gjilpërë disa herë futbollistin kundërshtar, transmeton KosovaPress.
Mbrojtësi Allende në ndeshjen e kupës argjentinase kishte ruajtur sulmuesin e Estudiantes Juan Otero, ndërsa ekipi i tij shënoi fitore të papritur 3:2.
“Më vjen keq nga Otero, pasi disa herë e kam therur, por nuk kisha zgjidhje. Ishte kjo ndeshja më e madhe në historinë e klubit tonë dhe më është dashur që të shërbehem me të gjitha mjetet ndaj kundërshtarit më të fortë. Është dashur të luanim në mënyrë të ndyrë dhe lojtarët e ligës së parë këtë nuk e duan. E di se më urren, por ne fituam”, ka thënë Allende në një emision të radios.
Ai ka pranuar se inspirim për veprimin e tij ishte ish-përzgjedhësi argjentinas Carlos Billardo, i cili në ditët e tija si lojtar kishte përdorur gjilpërën gjatë ruajtjes së futbollistëve kundërshtarë.
Sulmuesi i skuadrës së ligës së parë Estudiantes, Otero ka pohuar se katër herë gjatë takimit i është ankuar gjyqtarit kryesor, se Allende po e ther me diçka, por krejt kjo kaloi pa sukses.
“E kam të qartë se kjo ishte ndeshja e tij e jetës, por edhe më tej kjo është vetëm një ndeshje”, ka komentuar Otero.