Aktuale

Thaçi: Votojeni demarkacionin, mos mbani peng qytetarët

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka mbajtur fjalimin vjetor para deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Fjalimin e tij të gjatë nuk e kanë dëghuar deputetët e LDK-së dhe të Vetëvendosjes të cilët e bojkotuan atë.

Duke folur vetëm para deputetëve të pozitës dhe kabinetit qeveritar Thaci tha se Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve të saj dhe të gjithë duhet t’i gëzojnë të drejtat e barabarta në përpjekje për të realizuar aspiratat e tyre.

Me konsolidimit e shtetit presidenti ka thënë se përkrahja e zhvillimit ekonomik të vendit ka filluar të marrë vend qendror në angazhimin e tij, por edhe të institucioneve tjera të shtetit të Kosovës.

Ai ka thënë se ka përkrahur përfundimin e projekteve për autostrada që do të lidhin Kosovën me rajonin e më gjerë, duke u mundësuar lëvizje më të lirë njerëzve dhe mallrave duke përmendur inaugurimin e segmentit të dytë të autostradës “Arbën Xhaferi” që u bë sot.

Në fjalimin e tij Thaci ka folur edhe për rendin dhe ligjin.

Sipas tij me dekretimin e prokurorëve dhe gjyqtarëve nga komunitetet joshumicë, shumica nga të cilët punojnë në pjesën veriore të Kosovës, është shtrirë rendi kushtetues e ligjor i Kosovës në çdo cep të shtetit.

Presidenti Thaçi para deputetëve ka folur edhe për proceset zgjedhore që ishin këtë vit. Ai ka thënë se viti 2017 ishte vit i të arriturave përkundër shumë sfidave.

Ai tha se Qeveria e Kosovës dhe kryetarët e zgjedhur të komunave, tani duhet të punojnë me përkushtim për realizimin e prioriteteve të përcaktuara dhe ta përmirësojnë jetën e qytetarëve.

Ndër prioritet kryesore në këtë aspekt, ai ka thënë se ishte edhe vazhdimi i punës për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Sipas tij Forcat e Armatosura do ta ruajnë dhe fuqizojnë karakterin shumetnik.

“Tani jemi pothuajse në fazën përfundimtare të përpjekjeve tona për të siguruar përkrahjen që procesi i themelimit të FAK-ut të bëhet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese. Këtë jemi duke e bërë dhe do ta bëjmë në koordinim të plotë me NATO-n dhe partnerët tjerë strategjikë. Unë sot ju siguroj se Kosova gjatë vitit 2018 do të ketë kapacitet e veta mbrojtëse, pra një ushtri moderne që do t’i kontribuojë paqes dhe stabilitetit në rajon dhe kudo në botë”, ka pohuar presidenti Thaçi. Duke folur për sigurinë e Kosovës, presidenti ka thënë se ndjehet krenar që shteti ynë është lider në rajon në luftimin e ekstremizmit, radikalizmit dhe terrorizmit.

Në fjalim presidenti ka përmendur edhe të kaluarën e që sipas tij është e dhimbshme dhe kujtimet për vuajtjet ende mbeten të freskëta.

Por, siq tha ai kjo është edhe ajo që na i bën krenarë dhe i jep forcë për të shikuar me këmbëngulje nga e ardhmja.

Kreu i shtetit ka thënë se dialogu mbetet mekanizmi i vetëm dhe i pazëvendësueshëm për zgjidhjen e problemeve brenda shtetit tonë, por edhe me shtetet fqinje.

“Në kuadër të angazhimit tim për ndërtimin e paqes së qëndrueshme në tërë Evropën Juglindore, është edhe përkushtimi ynë i përbashkët në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë. Tani jemi gati për të vazhduar fazën përfundimtare të këtij procesi, i cili do të vazhdojë të ndërmjetësohet nga BE-ja dhe të përkrahet fuqishëm nga SHBA-ja”, u shpreh presidenti Thaçi.

Ai ka thënë se sigurisht që kjo fazë përmbyllëse nuk do të jetë aspak e lehtë.

Për ketë qëllim, kam filluar konsultat formale dhe jo formale me partitë politike dhe shoqërinë civile, me qëllim që të themelojmë një Grup të Unitetit për të siguruar gjithëpërfshirje në këtë proces. Unë edhe sot, iu bëj thirrje publike që të jemi të bashkuar në këtë proces dhe në çdo proces tjetër që është me interes shtetëror”, ka thënë presidenti Thaçi.

Në vazhdim të fjalimit të tij vjetor para deputetëve, presidenti Thaçi ka thënë se kredibiliteti shtetëror në arenën ndërkombëtare dhe shpejtësia me të cilën i afrohen anëtarësimit në BE dhe NATO, varet kryesisht nga serioziteti ynë në përmbushjen e obligimeve tona shtetërore.

Ai ka ftuar që të votohet ratifikimi i marrëveshjes me Malin e Zi duke thënë që mos t’i mbajnë peng qytetarët për qasje të gabuar të dikujt

“Në këtë aspekt, ne nuk mundemi që në vazhdimësi të drejtojmë gishtin nga BE-ja, NATO-ja apo bashkësia ndërkombëtare duke kërkuar që t’i mbajmë ata fajtorë të vetëm për ngecjet tona. Ne duhet t’i pranojmë gabimet dhe t’i përmirësojmë ato sa më shpejt që mundemi, sepse vetëm kështu mund ta zëmë hapin me shtetet fqinjë në procesin e integrimeve euroatlantike. Prandaj, duhet ta ratifikojmë pa humbur kohë marrëveshjen për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi. Ratifikimi i kësaj marrëveshje i jep fund izolimit të padrejtë të qytetarëve të Republikës së Kosovës”, ka thënë ai.

Presidenti ka thënë duhet që pa humbur kohë të themelojmë Asociacionin e Komunave me shumicë serbe në përputhje me marrëveshjen e Brukselit dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese, sepse BE-ja dhe shumë shtete tjera partnere janë të zhgënjyera me paaftësinë tonë për të zbatuar zotimet e marra përsipër.

Presidenti ka thënë se vazhdon të besojë se mënyra më e mirë është që të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në BE në të njëjtën kohë, pavarësisht faktit se disa shtete kanë bërë progres më të madh në përmbushjen e kritereve për anëtarësim.

Presidenti Thaçi ka thënë se një kohë të konsiderueshme të punës së tij ia ka kushtuar edhe përpjekjeve për konsolidimit të shtetit të Kosovës në skenën ndërkombëtare duke përmendur takimet me zëvendëspresidentin e atëhershëm Biden, dhe me zëvendëspresidentin e tashëm Mike Pence.

Kreu i shtetit ka thënë se gjatë këtij viti ka realizuar vizita bilaterale dhe ka marrë pjesë në forume dhe konferenca të ndryshme si në Kanada, Kroaci e Turqi, Bullgari, Austri si dhe takimet me Papa Françeskun si dhe në disa vizita tjera.

Në fund të fjalimit të tij vjetor në Kuvendin e Kosovës, presidenti Thaçi ka thënë se qytetarët e Republikës së Kosovës kanë treguar qartë se duan të shohin liderët e tyre të zgjedhur politikë të bashkuar në të gjitha çështjet e interesit nacional dhe shtetëror./KosovaPress/

the authorE B