Aktuale

Thaçi: Ushtria do të bëhet, serbët po e pengojnë Asociacionin

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në një debat të hapur me përfaqësuesit e mediave serbe dhe shoqërinë civile në Çagllavicë, foli për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës, Asociacionin e Komunave Serbe si dhe bojkotin që po u bëjnë deputetët serbë institucioneve të Kosovës.

Me këtë rast ai u bëri thirrje atyre që të kthehen në institucione, pasi që sipas tij bojkoti i tyre po pengon themelimin e Asociacionit.

“Unë jam president i Republikës së Kosovës dhe partia ime është Kosova. I shërbej gjithë qytetarëve të Kosovës pa dallim partiak fetar etnik. Natyrisht e theksova dhe në fillim se asociacioni i komunave serbe duhet të themelohet në bazë të dokumentit të Brukselit të nënshkruar nga ne. Në bazë të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese. Qeveria e Kosovës është e zotuar që të fillojë këtë proces sa më shpejt që është e mundur. Tani jemi në pritje të rikthimit të Listës Serbe në Parlament dhe Qeveri që ata të marrin pjesë në këtë proces me idetë e tyre, këshillat e tyre, sugjerimet e tyre. Diçka e tillë nuk do të diskutohet me Serbinë, por më përfaqësuesit e Kosovës domosdoshmërisht. Do të ketë dhe mbështetje dhe prezencë të autoriteteve të BE-së. Andaj do të jetë një proces gjithëpërfshirës transparent, kushtetues dhe ligjor. Bëh et pyetja pse s’po themelohet asociacioni. Përgjigjja është e qartë, nga bojkoti i përfaqësuesve serb të Kosovës”, tha Thaçi.

Presidenti i Kosovës tha se Projektligji për transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës, është në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e vendit. Ai tha se formimi i ushtrisë së Kosovës është një aspiratë e qytetarëve të Kosovës, e cila ka dhe mbështetjen e faktorit ndërkombëtar.

Sipas Thaçit tani janë krijuar kushtet që të lëvizin tutje, pasi që FSK është e gatshme për transformim. Ai tha se edhe pse do të dëshironin që transformimi nga FSK në ushtri të Kosovës të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese, një gjë e tillë po pamundësohet nga përfaqësuesit serbë në Kuvendin e Kosovës.

“Përfaqësuesit politik të komunitetit serb të Kosovës, nuk kanë qenë dhe nuk janë të gatshëm të përkrahin transformimin e FSK-së në ushtri të Kosovës. Anëtarët e Listës ‘Srpska’ e kanë bëre të qartë shumë herë se janë të penguar nga Beogradi që të përkrahin transformimin e FSK-së në ushtri. Është e rëndësishme që të bëjmë dallimin në mes të komunitetit serb në Kosovë dhe përfaqësuesve politik të tyre dhe interesit të Serbisë në anën tjetër. Komuniteti serb në Kosovë është treguar konstruktiv, bashkëpunues dhe i interesuar për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët në Kosovë në paqe dhe prosperitet. Kosova është shtëpia juaj. Është shtëpia jonë e përbashkët. Është atdheu ynë që po e ndërtojmë të gjithë së bashku”, tha presidenti i Kosovës.

Por ai është kategorik se në atë se nuk do të pranojnë që të konsultohen për këtë me shtetin serb, i cili po tregohet destruktiv dhe po vazhdon ta pengojë Kosovën.

“ Kjo nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodh. Edhe pse kemi nisur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me shtetit të Kosovës dhe Serbisë, Serbia ndaj Kosovës të njëjta politika që kanë shkaktuar luftë. Serbia ende nuk është një partner konstruktiv, qoftë në Kosovë, qoftë në rajon, por është burim i nacionalizmit, që përjetohet si kërcenim për paqen dhe stabilitetin në rajonin e Ballkanit perëndimor. Serbia vazhdon ta pengojë Kosovën në çdo hap. Vazhdon të pengojë konsolidimin e Kosovës. Madje edhe kur është në dëm të tërë rajonit.. Rritja e misionit te FSK-së nuk është kërcenim për paqen dhe sigurinë ne rajon, aq më tepër kërcënim për ndonjë qytetar të Kosovës, përkundrazi”, tha presidenti i vendit.

Duke komentuar deklaratat e kryeministrit të Serbisë Aleksandër Vuçiq në lidhje me pronat dje Qeveria e Kosovës vendosi që të gjitha pronat e ish-Jugosllavisë kalojnë në pronësi të shtetit kosovar, presidenti Thaçi tha se Serbia nuk ka juridiksion dhe se nuk ka prona në Kosovë.

“ Prona publike është pronë e shtetit të Kosovës. Kosova ka qenë pjesë e Federatës jugosllave. Federata jugosllave është shpërbërë. Serbia nuk është trashëgimtarë e ish -Jugosllavisë. Serbia është serbi një nga shtete e rajonit. Andja dhe vendimi i djeshëm o Qeverisë së Kosovës, është i drejte, ligjor, kushtetues dhe legal. Prona private është e shenjtë e secilit, është e paprekshme. Unë e kuptoj që kryeministri i Serbisë është në kampanjë elektorale, si pretendim për president i vendit. Ai mund t’i fitoj zgjedhjet në Serbi, por pronat janë të Kosovës. Edhe zgjedhjet mund t’i fitoj por ushtria e Kosovës do të po bëhet. Por i ka dy tema të lezetshme për opinionin publik në Serbi”, tha ai.

Presidenti Thaçi tha se Serbia herët a vonë do të përballet me padinë për gjenocid, padi kjo që do ta ngris shteti i Kosovës.

“Serbia herët a vonë do të ballafaqohet me padinë e shtetit të Kosovës për gjenocidin e kryer në Kosovë. Një gjë është e vërtetë që shteti i Serbisë do të ballafaqohet me padinë për gjenocidin që ka kryer në Kosovë“, tha ai.

Në këtë debat Thaçi ka përmendur edhe themelimin e Komisionit për të Vërteten dhe Pajtimin, ndërsa tha se ky Komision nuk e zëvendëson drejtësinë, por që duhet ende shumë punë për të bërë për arritjen e pajtimit mes serbëve dhe shqiptarëve.

the authorE B