Sport

Thaçi në Shqipëri, do t’i takojë edhe futbollistët kosovarë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi do të vizitojë futbollistët e kombëtares së Kosovës dy ditë para ndeshjes me Kroacinë në qytetin e Shkodrës. Presidenti Thaçi, i cili ditën e hënë do të udhëtojë për një vizitë dy ditore në Republikën e Shqipërisë ka futur në axhendë edhe takimin me kombëtaren e Kosovës.

“Në mesditë, rreth orës 13:00, në Bushat të Shkodrës, presidenti Thaçi do t’i vizitojë futbollistët e kombëtares së Kosovës, të cilët po i bëjnë përgatitjet e fundit për ndeshjen me Kroacinë.” thuhet në komunikatën e dërguar për media.

Gjithashtu Presidenti i Kosovës do të pritet me ceremoni zyrtare nga homologu Bujar Nishani dhe do të takohet me krerët më të lartë të Shqipërisë.