Aktuale

Thaçi: Formimi i Ushtrisë së Kosovës është në binarë dhe do të ndodhë tani

Presidenti I Kosovës, Hashim Thaçi, ka ripërsëritur të enjten se formimi i Ushtrisë së Kosovës është në binarë dhe se do të ndodhë tani, ndërsa shpreh besimin e plotë se Qeveria e Kosovës do ta procedojë projektligjin në Kuvend dhe se këtu nuk sheh ndonjë problem procedural.

Ai konfirmoi se është takuar me ambasadorin e SHBA, Greg Delawie, me të cilin tha se ka pasur një takim të rregullt. Thaçi ka bërë të ditur se kanë takime të rregullta me ambasadorin e SHBA-ve, por edhe me ambasadorët e tjerë të vendeve të Quintit kohë pas kohe në momente të rëndësishëm për vendin.
Presidenti tha se në këto takime diskutohen tema të zakonshme dhe për prioritetet e përbashkëta dhe për të ardhmen e Kosovës, ndërsa mohoi të ketë diçka të veçantë dhe të jashtëzakonshme në takimin me diplomatin amerikan.

Ai ka shtuar se janë edhe për ndryshime kushtetuese dhe se do të vazhdojnë debatin edhe me serbët, shoqërinë civile dhe me gjithë spektrin e gjerë politik, por sipas tij, në të njëjtën kohë do të vazhdojnë të punojnë edhe rreth projektligjit për ushtrinë.

“Ne jemi shumë në favor të ndryshimeve kushtetuese dhe do të vazhdojmë debatin edhe me serbët, edhe me shoqërinë civile edhe me mediet dhe me gjithë spektrin politik dhe shoqëror të Republikës së Kosovës, por do të vazhdojmë të punojmë paralelisht edhe në procesin e projektligjit, dhe nëse me të vërtetë do të vonohen serbët, atëherë ne do të vazhdojmë sipas projektligjit. Është me rëndësi që është ndërtuar një konsensus i gjerë shoqëror, qytetar, politik dhe institucional si kurrë ndonjëherë më parë, prandaj është një proces i pandalshëm, i pakthyeshëm dhe do të ndodhë tani”, tha presidenti Thaçi.

the authorE B