Sport

Thaçi i dorëzoi flamurin shtetëror ekipit olimpik të Kosovës

Në Amfiteatrin e Gërmisë në Prishtinë u organizua ceremonia solemne e dorëzimit të flamurit shtetëror nga Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, tek ekipi olimpik i Kosovës, i cili do ta përfaqësojë shtetin tonë në Lojërat Olimpike në Rio de Janiero të Brazilit.

Të pranishëm në këtë ceremoni shtetërore të organizuar nga Zyra e Presidentit të Republikës së Kosovës dhe Komiteti Olimpik i Kosovës ishin të ftuar mbi 800 mysafirë.

Besim Hasani kryetar i KOK-ut me këtë rast tha se ky rrugëtim nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen e institucioneve shtetërore.

“Ne po nisemi për në Rio me tetë sportistë. Ne jemi në mesin e shteteve botërore drejt sukseseve, sikur që është suksesi i Majlindës dhe Norës. Nuk as kush që na ndalë shpresat për fitore në Rio. Na presin sfida të mëdha dhe duhet të investojmë në këtë sektor. Siç po nisemi si kampion, besoj se do të kthehemi si kampion”, tha Hasani.

Presidenti Hashim Thaçi ka ndarë medalje presidenciale për Nora Gjakovën, Rita Zeqirin, Urata Rama, Qëndrim Guri, kurse Majlinda Kelmendi u dekorua me medaljen Ambasadore Nderi.

“Debutimi në Lojërat Olimpike është arritje historike. Pas shpalljes së pavarësisë synimi ynë ishte edhe ndërkombëtarizimi i sportit. Tash e tutje sportistët tanë do ti veshin fanelat të barabarta me sportistët e shteteve botërore. Pjesëmarrja e Kosovës në Rio tregon se  është anëtare e barabartë me të gjitha shtetet botërore”, tha Thaçi.

Ai uroi për sukseset e arritura me flamurin e Kosovës në Rio./KosovaPress/