Aktuale

Tërnava: Jemi të obliguar të forcojmë paqen

Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, myftiu Naim Tërnava, ka uruar gjithë besimtarët mysliman me rastin e Festës së Fitër Bajramit. Me këtë rast, myftiu Tërnava iu ka adresuar qytetarëve të Kosovës, duke kërkuar nga ta që në këtë ditë të bekuar të jenë më solidar, human dhe t’i ndihmojnë jetimët dhe skamnorët.

Kreu i BIK-ut thekoi se Festa e Fitër Bajramit, largon njerëzit nga punët e liga, xhelozia, si dhe ofron familjet me fqinjët, shoqërinë dhe i bënë njerëzit më human e solidar.

“Festa e Fitër Bajramit e rikthen njeriut të krijuesi i gjithësisë, e ofron me familjen, me fqinjët, e me shoqërinë, e bënë më të ndjeshëm, më human, e më solidar, pra e edukon, udhëzon e fisnikëron, duke larguar nga punët e liga, pastaj nga urrejtja, xhelozia, smira e egoizmi. Gjatë festës së Fitër Bajramit nëpër familjet tona përhapim ndjenjën e vëllazërisë, mirësisë e dashurisë me njëri tjetrin, të kemi shëndet, harmoni e lumturi. Urimet me njëri tjetrin, vizitat nëpër familjet tona, janë tradita që duhet ndjekur për të shprehë vëllazërinë, bujarinë e sinqeritetin me njeri tjetrin, për të uruar dhe gëzuar kësaj feste kaq të rëndësishme”, tha Tërnava.

Tërnava shtoi se misioni primar i fesë islame është të hapë shtigjet e lumturisë për njerëzimin, prandaj janë të obliguar që me punët e tyre të forcojnë paqen dhe të qëndrojnë larg dhunës, gjakderdhjeve dhe konflikteve.

“Me punët tona të përditshme jemi të obliguar të forcojmë paqen, mirëqenien, dashurinë, respektin e solidaritetin mes njerëzve, larg dhunës, konflikteve, gjakderdhjeve e ekstremeve të ndryshme. Misioni ynë në këtë botë është të hapim shtigjet e lumutrisë për njerëzimin, ky është misioni primar i fesë islame. Ju ftoj që sa më shumë të kujtoni krijuesin, adhuroni vetëm atë, të jeni sa më solidarë. Ndihmoni jetimët, skamnorët, njerëzit në nevojë dhe të gjithë ata që kanë nevojë për ndihmën tuaj. Sofra e Bajramit është simbol i cili bashkon dhe ofron familjet mes vete, shton respektin e nderin mes besimtarëve”, u shpreh myftiu i Kosovës”, ka thënë ai.

Kreu i BIK-ut, shtoi se Festa e Fitër Bajramit vjen pas një sakrifice të madhe, prandaj besimtarët me të drejtë festojnë dhe gëzohen për shpërblim nga i madhi zot.

the authorE B