Tech

Telefonat e segmentit të mesëm të Nokia do të arrijnë në tregun e SHBA-ve

HMD Global, kompania finlandeze që ka licencuar të drejtat e emrit të Nokia, ka konfirmuar se tre telefona të brendit Nokia do të arrijnë në tregun amerikan këtë vit.

Tash për tash nuk dihet data e saktë e arritjes së telefonave Nokia në tregun amerikan, por kjo pritet të ndodhë ndërmjet prillit dhe qershorit, transmeton KosovaPress.

Telefonat i takojnë segmentit të mesëm dhe janë prezantuar në Kongresin botëror të telefonave mobilë që u mbajt muajin e kaluar.

Telefoni Nokia 6 është njëra nga modelet më të mira me ekran prej 5.5 inç, 3GB RAM, 32GB memorie të brendshme dhe procesor Qualcomm’s Snapdragon 430. Ai ka kamerë prej 8 MP për selfi dhe kamerë të pasme prej 16 MP.  Pajisja do të vijë në ngjyrat e zezë, argjendtë, të kaltër dhe do të kushtojnë 242 dollarë, derisa  glossy black do të kushtojë 315 dollarë. Dy telefonat tjerë Nokia 5 dhe Nokia 3 do të kushtojnë 199, përkatësisht 147 dollarë.