Aktuale

Të hënën vendoset për suspendimin e Drejtorit që dyshohet se i kërkoi 100 euro pacientit

Të hënën do të vendoset për suspendimin e drejtorit të Urologjisë, Rexhep Kasumaj. Ai u arrestua dje pasi dyshohet se kërkoi 100 euro nga një pacient për t’u operuar pa rend.

Vendimi që do të merret ndaj tij do të bëhet publik ditën e hënë. Kështu ka konfirmuar për Gazetën Express, drejtori i QKUK-së, Basri Sejdiu.

“Të hënën do të merret vendimi duke konsultuar bazën ligjore”, tha Sejdiu.

Drejtori i Repartit të Urologjisë në QKUK, Rexhep Kasumaj, mëngjesin e djeshëm u arrestua nga policia pasi dyshohet se i kërkoi ryshfet nga një pacient. Ndaj tij është hapur rasti i përfshirjes në veprën penale “marrje e ryshfetit”.

“Si rezultat i veprimeve të shpejta të hetuesve policorë, është arrestuar në flagrancë i dyshuari M/Sh/K, i cili dyshohet se nga një qytetar ka marrë para për t’i kryer shërbime mjekësore. Në cilësi të provave materiale janë konfiskuar paratë, ndërsa pas intervistimit me urdhër të Prokurorit i dyshuari është dërguar ne Qendrën e Mbajtje”, ka njoftuar policia.

Rasti në fjalë është përfshirë edhe në raportin e sotëm të policisë:

Është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar pasi që i njëjti i kishte marr viktimës mashkull K/Shqiptar 100€, me qëllim që ti kryej një shërbim mjekësor. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /Gazeta Express

the authorE B