Tre të miturit, të dyshuar për vrasjen e Aulon Zekës, janë dënuar sot me plot 15 vjet burg
Kryesi i veprës është dënuar me 9 vjet e 6 muaj. Vajza, 3 vjet. i treti, 1 vit e 6 muaj.
Avokati Skender Musa tha se do të bëjnë ankesë për rritje të dënimit për vajzën.
Mevlyde Zeka, nëna e Aulonit, pas vendimit të Gjykatës ka thënë para mediave se nuk është e kënaqur me vendimin.
“Me i vra ata në shesh ata të tre është pak”, deklaroi ajo para mediave.
Aulon Zeka është gjetur i vdekur në Prishtinë me katër plumba në trup më 16 shtator 2017.
Një vajzë dhe një djalë të mitur janë arrestuar si të dyshuar për përfshirjen në rastin në fjalë.
E gjithë kjo dyshohej se ka ndodhur për shkak të një lidhjeje dashurie.
Dyshohet që vajza e arrestuar ka qenë në lidhje dashurie me të arrestuarin tjetër, kurse ndaj saj ka pasur simpati edhe viktima.
Edhe Auloni edhe i dyshuari për vrasjen deri më tani kishin pasur shoqëri.
Thuhet se Auloni dhe i arrestuari natën e fundit kanë qenë së bashku në një nga lokalet e Prishtinës.
Kurse atyre më vonë u është bashkëngjitur edhe vajza e përfshirë në rast.
Të dyshuarit pas vrasjes, e kanë lënë trupin e të ndjerit afër shkollës Model.
Dihet se deri tani seancat e këtij gjykimi kanë qenë të mbyllura dhe para Pallatit të Drejtësisë ka pasur protesta për ndriçimin e vrasjes së Zekës.
Dyshimet e para të hetuesisë kosovare, të bazuara në dëshmi të disa dëshmitarëve nga rrethi shoqëror i dy të rinjve, tregojnë se deri te vrasja ka çuar simpatia e Aulonit për të dashurën e G. H., R. G.
Dyshimet për implikimin e dy minorëve në krimin që ndodhi gjatë fundjavës, rriten edhe nga një fotografi që ka siguruar Gazeta Express, e që hetuesia ka konfirmuar se ka arritur edhe në adresë të tyre.
Në fotografinë e nxjerrë nga një video “live” e Instagramit të R. G., shihen 15-vjeçarja dhe i dashuri i saj, po ashtu i dyshuar, G. H., derisa ky i fundit mban një pistoletë në dorë, me të cilën dyshohet se kryen vrasjen e Aulonit. Në videon që dyshohet së është bërë pas kryerjes së krimit, G. H. shihet se pistoletën e ka vendosur rreth qafës së të dashurës së tij një vit më e vogël.
Vrasja e Aulon Zekës kishte nxitur reagime të mëdha të atyre që e dënuan ngjarjen, madje ka pasur edhe protesta nga familjarë dhe bashkëmoshatarë të viktimës.