Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve të Shqipërisë, Vasilika Vjero, zhvilloi një vizitë në Administratën Tatimore të Republikës Çeke, mbi shkëmbimin e eksperiencave midis këtyre dy administratave.
Delegacioni i cili u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i Administratës Tatimore çeke, Jan Ronovsky, vlerësoi rëndësinë e shkëmbimit të informacionit mes administratave tatimore si një faktor të rëndësishëm në luftën kundër evazionit fiskal dhe formalizimit të vazhdueshëm të ekonomisë në të dy vendet.
Ekspertët diskutuan mbi kontrollin e deklarimit të TVSH, problemet dhe rrugët për luftën kundër evazionit fiskal, si dhe transaksionet e përdorimit të tatimpaguesit për të evituar derdhjen e TVSH-së.
Po ashtu menaxhimi i riskut, mbledhja e borxheve dhe zhvillime praktike në të dy vendet për mbledhjen e borxhit, si dhe regjistrimi i shitjeve elektronike e taksimi i shitjeve elektronike dhe vështirësitë në mbledhjen e TVSH-së, ishin pjesë e diskutimit.