Që nga nesër, kreu i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli bashkë me kryesinë dhe kryetarët e partive politike në vend, do të mund të mblidhen për të diskutuar rreth caktimit të seancës konstituive rreth formimit të institucioneve të shtetit.
Kryetari dhe Kryesia e Kuvendit duhet të Kosovës jo më pak se pesë ditë para mbajtjes së mbledhjes konstituive të legjislaturës së Kuvendit thërrasin mbledhje të përbashkët me kryetarët e partive, që kanë fituar vende në Kuvend, për ta përgatitur propozimin e rendit të ditës për mbledhjen konstituive të legjislaturës së Kuvendit, shkruan Gazeta Express.
Kështu bëhet e ditur në nenin 8 të rregullores së Kuvendit të Kosovës.
Seanca do të udhëhiqet nga deputeti më i vjetër në moshë i Kuvendit i dalë nga zgjedhjet e fundit në vend. Ai do të ndihmohet nga deputeti më i ri në moshë.
“Nëse deputeti, përkatësisht deputetët nga paragrafi 1 e këtij neni, mungojnë në mbledhjen konstituive ose e refuzojnë kryesimin e mbledhjes, atëherë angazhohen deputetët të cilët, sipas moshës, vijnë menjëherë pas tyre”, thuhet tutje në rregulloren e Kuvendit të Kosovës.
E ndërkohë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka certifikuar sot rezultatet e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 11 qershorit, sipas të cilave koalicioni PAN ka fituar 33.74 për qind të votave, Lëvizja Vetëvendosja është e dyta me 27.49 për qind dhe koalicioni LAA është i treti me 25.53 për qind.