Aktuale

Takohen Meta e Hoxhaj, flasin për bashkëpunim mes dy shteteve shqiptare

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta priti sot Ministrin e Punëve të Jashtme të Kosovës, Enver Hoxhaj me të cilin biseduan rreth bashkëpunimit dypalësh dhe zhvillimeve të fundit në rajon.

Kryetari i Kuvendit Meta vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë mes Kuvendit të Shqipërisë dhe Kuvendit të Kosovës dhe theksoi se Kuvendi mbështet punën e përbashkët të dy Qeverive respektive në funksion të përmirësimit të cilësisë së partneritetit strategjik mes dy vendeve.

Ministri Hoxhaj shprehu mirënjohjen për mbështetjen e shtetit shqiptar dhe në veçanti të Kryetarit të Kuvendit të Shqipërisë ndaj rritjes së përfaqësimit të Kosovës në platformat rajonale dhe ndërkombëtare, veçanërisht në forumet ndër parlamentare.

E Hoxhaj vuri në dukje se mbështetja e Shqipërisë është tepër e rëndësishme për zhvillimin e Kosovës.

Meta nënvizoi se Shqipëria e ka për detyrë angazhimin e saj të gjithanshëm në funksion të njohjeve të shtetit të Kosovës, pjesëmarrjes dhe anëtarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare dhe në shërbim të konsolidimit të perspektivës euro-atlantike të vendit fqinj.

Në përfundim Kryetari Meta dhe Ministri Hoxhaj diskutuan edhe mbi zhvillimet e fundit në rajon duke ndarë bindjen e përbashkët se forcimi i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Kosovës i shërben stabilitetit dhe sigurisë së vendeve të tjera fqinje si dhe axhendës euro-atlantike të tërë rajonit të Ballkanit.

the authorE B