Gjykata Supreme ka refuzuar kërkesat për mbrojtje të ligjshmërisë të parashtruara nga mbrojtësit e dy të akuzuarve në rastin e ish-deputetit Ukë Rugova, ish-ministrit të Kulturës, Astrit Haraqija dhe të tjerëve, të cilët akuzohen për vepra penale që lidhen me krimin e organizuar.
Me këtë rast, Supremja ka refuzuar kërkesat që ishin parashtruar nga avokatët Afrim Salihu, mbrojtës i të akuzuarit Visar Beqiri, si dhe Besnik Berisha, mbrojtës i të akuzuarit Izet Beqiri.
Pasi që Gjykata e Apelit më 25 shtator 2017, kishte refuzuar kërkesën për hudhje të aktakuzës ndaj të akuzuarve në këtë rast, mbrojtësit e të pandehurve Izet Beqiri dhe Visar Beqirit, kishin paraqitur kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatën Supreme.
Supremja më 22 shkurt të këtij viti, ka marrë vendim me në të cilin kërkesat e këtyre dy avokatëve i ka quajtur të papranueshme.
Sipas arsyetimit të këtij vendimi, që e ka siguruar “Betimi për Drejtësi”, thuhet se kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë mund të paraqitet vetëm kundër vendimit gjyqësor të formës së prerë ose kundër procedurës gjyqësore, e cila i ka paraprirë marrjes së vendimit të tillë, pas përfundimit të procedurës penale në formë të prerë.
Ndërsa, në këtë rast, sipas arsyetimit, procedura nuk ka përfunduar në formë të prerë, andaj kërkesa për mbrojtje të ligjshmërisë është e palejuar.
Ndërkaq, zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi, ka deklaruar për “Betimi për Drejtësi” se seancat në këtë rast pritet që shumë shpejt të caktohen, pasi që një gjë e tillë kishte mbetur peng i kësaj përgjigje nga Supremja.
Avokati Salihu, kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë e kishte bërë ndaj vendimit të Gjykatës së Apelit, e cila më 25 shtator 2017, kishte refuzuar kërkesën për hudhje të aktakuzës ndaj Visar Beqirit dhe të akuzuarve të tjerë në këtë rast.
“Shtatëmbëdhjetë të pandehur kanë parashtruar ankesa kundër Aktgjykimit të Kryetarit të trupit gjykues të Gjykatës Themelore të Prishtinës PKR 305/2016 të datës 27 mars 2017, me anë të cilit ishin refuzuar kërkesat e mbrojtjes për ta hedhur poshtë aktakuzën si dhe kundërshtimet e tyre ndaj provave. Gjykata e Apelit, me anë të aktgjykimit PN 475/2017 të datës 25 shtator 2017, i ka hedhur poshtë këto 17 ankesa. Aktgjykimi i Kryetarit të trupit gjykues u vërtetua”, thuhej në njoftimin e Apelit.
Seanca e fundit ndaj Ukë Rugovës dhe 19 të tjerëve ishte mbajtur më 22 nëntor të vitit 2017, por edhe ajo ishte shtyrë me kërkesë të gjykatësit Petrov Petkov, i cili kishte kërkuar veçim të procedurës për të akuzuarit Ukë Rugovën, Izet Beqirin, Florjan Petanin dhe Qefser Bahollin.Këtë propozim, e kishte kundërshtuar prokurori i rastit, Alan Casnick, i cili kishte thënë se një veçim i tillë do të ishte i panevojshëm, ndërsa disa nga mbrojtësit e të akuzuarve kishin kërkuar kohë që të deklaroheshin për këtë propozim.
Në bazë të kësaj, gjykatësi Petkov, u kishte dhënë shtatë ditë kohë mbrojtësve të të akuzuarve, që të paraqesin mendimin e tyre me shkrim dhe pas kësaj, gjykatësi kishte thënë se do ta caktoi seancën tjetër për këtë rast.Ndërkohë, më 30 janar të vitit 2018, misioni evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, ishte tërhequr nga gjykimi i këtij rasti, duke bërë kështu që kjo lëndë të kalojë te gjykatësit vendorë.
Ky rast i ishte caktuar gjykatëses Naime Jashanica, e cila kohë më parë nga Departamenti i Përgjithshëm, ka kaluar në Departamentin për Krime të Rënda.Në seancën fillestare të mbajtur më 30 gusht të vitit 2016, Ukë Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për akuzat me të cilat ngarkohen.
Aktakuza e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) e ngarkon Ukë Rugovën se gjatë periudhës maj 2011 deri në shkurt 2014 ka menaxhuar një grupi kriminal duke furnizuar individë me viza shengen të BE-së, nga Ambasada Italiane në Prishtinë.
Të gjitha këto viza supozohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nëpërmjet shtrembërimit apo korrupsionit.Dispozitivi tjetër i aktakuzës ngarkon Rugovën edhe për veprën penale posedim i pa autorizuar i armëve ku në rezidencën e tij janë gjetur një pistoletë dhe dy karikator.
Aktakuza e prokurorit Allen Cansick, thekson se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pranuar nga Prokuroria Italiane në Romë një kopje të dosjes së tyre lidhur me vizat ku përfshihet edhe emri i ish – ambasadorit Italian në Kosovë Michael Giffoni.
Bashkë me Ukë Rugovën në këtë rast janë të akuzuar edhe Izet Beqiri, Florjan Petani, Qefser Baholli, Astrit Haraqija, Fitim Beqiri, Azad Beqiraj, Liridona Beqiri, Kujtim Avdyli, Ragip Gashi, Visar Beqiri Hamza Beqiri, Azem Koskoviku, Edison Idrizaj, Beg Shaqiri, Hasan Shaqiri, Driton Voca, Valon Selimi, Fadil Ahmeti dhe Haxhi Islami.
Prokuroria pretendon se ky grup kriminal kishte për qëllim sigurimin e përfitimit material në atë mënyrë që qytetarët të pajisen me viza shengen nga Ambasada Italiane në Prishtinë.