Sport

Super Ronaldo, Reali me një këmbë në finale

Cristiano Ronaldo realizoi edhe një het-trik në fitoren 3:0 të Real Madridit.

Kampionët e Evropës kanë bërë një hap të madh drejt finales në Ligën e Kampionëve, pasi deklasuan Atletico Madridin në ndeshjen e parë duke e mposhtur 3:0.

Njeriu kryesor i takimit ishte kush tjetër pos Cristiano Ronaldos që realizoi tre gola në fitoren e Realit. Goli i parë i Realit erdhi që në minutën e 10-të ku pas një harkimi të bukur nga Casemiro, CR7 kërceu më lartë dhe gjuajtja e tij me kokë ishte e pandalshme për portierin Oblak, i cili u detyrua ta nxirrte topin nga rrjeta. Dominimi i ‘Los Blancos’ vazhdoi përgjatë tërë pjesës së parë, por nuk pati gola të tjerë me meritë edhe të portierit slloven.

Pjesa e dytë nisi me një ritëm më të ngadaltë me të dyja skuadrat që u shfaqën të kujdesshme për të mos pësuar gol. U desh që të pritej deri në minutën e 73-të për të parë golin e dytë. Në skenë u shfaq sërish Ronaldo që shfrytëzoi mirë një gabim të Filipe Luis dhe me një vole goditje e dyfishoi epërsinë. Ronaldo e kompletoi het-trikun në minutën e 86-të për të vulosur edhe rezultatin përfundimtar të gjysmëfinales së parë.

Ndeshja e kthimit zhvillohet të mërkurën tjetër në Vicente Calderon, derisa Atleticos i duhet një mrekulli për të arritur finalen e Kardifit.