Rajon & Botë

Sundimtari i ri saudit: Arabinë do ta kthej kah islami i moderuar

Princi i ri i Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman, ka thënë që do të mundohet ta kthejë shtetin e tij në një vend ku mbizotëron një islam më i moderuar se që ka qenë deri më tash, duke e pranuar tërthorazi që feja e ka penguar zhvillimin e vendit në tri dekadat e fundit, transmeton Gazeta Metro.

Në një intervistë për Guardian, ai kërkoi nga shtetet perëndimore që ta ndihmojnë atë në këtë drejtim, pra që Arabia të bëhet shtet me shoqëri të hapur dhe të tërheqë investime të jashtme.

Bin Salman ka thënë që shteti i tij ultra-konservativ nuk ka qenë normal në 30 vjetët e fundit. Për këtë, ai ka fajësuar doktrinat rigjide që kanë sunduar në Arabi pas revolucionit në Iran, ndërsa ka hedhur fajin edhe te sunduesit që sipas tij, nuk kanë ditur të qeverisin vendin.

“Çfarë ka ndodhur në 30 vitet e fundit nuk është Arabia Saudite, ashtu siç nuk është Lindja e Mesme. Pas revolucionit në Iran më 1979, njerëzit donin ta kopjonin këtë model në shtete të ndryshme, një prej tyre edhe Arabia”, thotë sundimtari i ri arab. Arabia është akuzuar shumë gjatë edhe nga shtetet evropiane për financim të terrorizmit në mbarë botën.

Këto komente të tij vijnë gjashtë muaj pasi ai filloi një fushatë të madhe të reformave në shtet, për të shkulur rrënjët e islamit të tillë që u kultivua në Arabi, shtet që u akuzua për shkelje masive të të drejtave të njeriut, me theks të veçantë ndaj grave.

the authorE B