Gjithsejtë 14 gola janë realizuar në dy ndeshjet e sotme të Ligës së Kampionëve.
Magjia e Ligës së Kampionëve vazhdoi edhe sonte me dy super ndeshje që për 90 minuta dhuruan spektakël.
Manchester City dhe Atletico Madrid kanë arritur fitore të mëdha ndaj Monacos përkatësisht Bayer Leverkusenit.
Skuadra e Pep Guardiolas arriti të shënonte një fitore spektakolare prej 5:3, ku pati rikthime të njëpasnjëshme të rezultatit nga të dy ekipet. Raheem Sterling (26’), Sergio Aguero me dy gola (58’ dhe 71’), John Stones (77’) dhe Leroy Sane (82’) realizuan në fitoren e Cityt. Ndërsa te Monaco shënuan Radamel Falcao dy herë (32’ dhe 61’), dhe Mbappe (40’). Vlen të theksohet që Falcao ka humbur edhe një 11-metërsh në fillim të pjesës së dytë.
Gjashtë gola u realizuan në Bay Arena, aty ku finalisti i edicionit të shkuar Atletico Madrid, mori një fitore shumë të rëndësishme prej 4:2 ndaj Bayer Leverkusen dhe me një këmbë është në çerekfinale.
Saul Niguez (17’), Antoine Griezmann (25’), Kevin Gameiro (59’ pen.) dhe Fernando Torres që shënoi në minutën e 86-të i dhuruan fitoren skuadrës së Diego Simeones. Për ekipin gjerman ishin të pamjaftueshëm golat e Karim Bellarabi (48’) dhe auto goli i Stevan Saviq (68’) që doli me kokën ulur nga stadiumi i vet.
Ndeshjet e kthimit do të zhvillohen pas dy javësh.