Në referendumin që mbahet sot, qytetarët e Maqedonisë do të përgjigjen në pyetjen: “A jeni për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes me Greqinë?”, transmeton Portalb.mk.
Të drejtë vote kanë 1.806.336 votues, të cilët janë regjistruar në listën zgjedhore. Lista zgjedhore është mbyllur më 10 shtator.
Votohet në 3.480 vendvotime, në 80 komuna. Vendvotimet janë hapur në ora 07:00 dhe do të mbyllen në ora 19:00.
Dje votuan personat e sëmurë, të rënduar, të burgosur dhe në burg shtëpiak të cilët janë shtetas të Maqedonisë.
Krahas të sëmurve, votuan edhe diaspora e Maqedonisë në përfaqësitë konsullore në: Bern, Lubjanë, Vjenë, Toronto, Londër, Bon, Hagë, Berlin, Melburn, Kanbera, Bruksel, Stokholm, Paris, Rim, Kopenhagë, Uashington, Detroit, Pragë, Abu Dabi, Beograd, Pordgoricë, Ankara, Athinë, Bukuresht, Stamboll dhe Budapest.
Anëtarët dhe zëvendës-anëtarët e këshillave zgjedhorë kanë votuar më 26-shtator, pasi që morën pjesë në votimin e diasporës për referendumin e 30-shtatorit.