Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, ka thënë se nuk pret transferime të reja në skuadrën e tij sot, para se të mbyllet afati kalimtar i janarit në orën 24:00.
Klubi i Premierligës e ka blerë vetëm një lojtar këtë muaj, pasi e kompletoi transferimin e mesfushorit Bruno Fernandes nga Sporting Lisbona të enjten për 55 milionë euro, transmeton Gazeta Express.
Manchester Unitedi raportohej se ishte i gatshëm të investojë edhe në repartin e sulmit, pasi që sulmuesi anglez Marcus Rashfordi do të mungojë edhe rreth dy muaj shkaku i një lëndimi në shpinë.
Djajtë e Kuq kanë qenë të përfolur për transferimin e sulmuesit të Bournemuthit Joshua King, edhe pse oferta e tyre e parë për futbollistin ishte refuzuar. Sot, Sky Sports raportoi se Manchester Unitedi po përgatitej për ta bërë një ofertë të dytë.
Megjithatë, trajneri Solskjaer ka tentuar t’i ndalë këto spekulime duke thënë se nuk pret prurje të reja në Old Trafford sot, para se të mbyllet afati kalimtar i janarit.
“Nuk jam i sigurt, nuk pres që të arrihet ndonjë marrëveshje tjetër. Nuk mendoj se do të ndodhë ndonjë gjë”, ka thënë Solskjaer, në një konferencë për shtyp.
“Nganjëherë unë them diçka dhe diçka tjetër ndodh. Nganjëherë unë them se jam i lumtur me një lojtar dhe ai e kupton mesazhin ndryshe. Kështu që unë nuk dua të ndihmoj në rritjen e spekulimeve sot”.
“Nuk pres të ndodhë asgjë, por kjo s’do të thotë se asgjë nuk do të ndodhë”. /Gazeta Express/