Aktuale

Sllovakia falënderon FSK-në për riparimin e memorialit për ushtarët sllovakë

Komandanti i FSK-së, Rrahman Rama, ka pritur sot në takim ambasadorin e Sllovakinë, Lubomir Batary, me të cilin biseduan për gatishmërinë dhe përkushtimin e FSK-së. Ambasadori sllovak ka falënderuar FSK-në për kontributin e tyre për riparimin e memorialit, i cili iu është kushtuar 42 ushtarëve sllovakë të cilët kanë humbur jetën para 11 vitesh në një fatkeqësi ajrore, gjatë kthimit të tyre në atdhe, pas përfundimit të misionit në kuadër të KFOR-it në Kosovë.

Komunikata për media bën të ditur për zhvillimin e takimit në mes të komandantit të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjenerallejtënant Rrahman Rama, dhe shefin e zyrës ndërlidhëse të Republikës së Sllovakisë në Republikën e Kosovës, ambasadorin Lubomir Batary.

Gjatë takimit që gjeneral Rama zhvilloi me ambasadorin Batery u shpreh se, FSK-ja ashtu siç është e përkushtuar për ruajtjen e vlerave të vendit tonë, po ashtu me të njëjtën gatishmëri dhe përkushtim përkujdeset edhe për ruajtjen e vlerave të popujve, të cilët kanë kontribuar për lirinë dhe paqen e vendit tonë. Ai tha se FSK-ja me kënaqësi ka ndërmarrë iniciativën për riparimin e memorialit kushtuar ushtarëve të Forcave të Armatosura të Sllovakisë, të cilët patën humbur jetën në një fatkeqësi ajrore pas përfundimit të misionit në vendin tonë.

Nga ana e tij, ambasadori i Republikës së Sllovakisë, Lubomir Batery, në emrin e tij personal dhe në emër të Forcave të Armatosura të Sllovakisë dhe në emër të popullit sllovak falënderoi komandantin e FSK-së, gjeneral Ramën, për angazhimin dhe kujdesin e treguar në përkujtim të jetës dhe veprës së ushtarëve sllovakë.

Vlen të shtojmë se FSK-ja ka riparuar memorialin i cili u kushtohet 42 ushtarëve sllovakë të cilët kanë humbur jetën para 11 vitesh në një fatkeqësi ajrore, gjatë kthimit të tyre në atdhe, pas përfundimit të misionit në kuadër të KFOR-it në Kosovë.

the authorE B