Dinamo Zagreb, gjiganti kroat, është në kërkim të trajnerit të ri. Gianni de Biasi është alternativa e parë e skuadrës nga Liga e Kampionëve.
Klubi më i madh i Kroacisë, Dinamo Zagreb, ka mbetur pa trajner pas dorëheqjes së trajnerit të njohur Zlatko Kranjçar.
Tre humbje të njëpasnjëshme gjatë këtij muaji, dy në kampionat dhe një në Ligën e Kampionëve, kanë bërë që Kranjçar të mos vazhdojë më drejtimin e skuadrës.
Menjëherë drejtuesit e klubit janë vënë në kërkim të një zëvendësuesi dhe pistat e kërkimit janë brenda Ballkanit.
Sipas të përditshmes kroate “Sportske Novosti”, janë tre kandidatët kryesorë për të marrë vendin e Kranjçarit, dhe i pari mes tyre qëndron trajneri i Shqipërisë, Giann De Biazi.
Mes alternativave është edhe trajneri i kombëtares së Bullgarisë, Ivajlo Petev. Nuk dihet ende nëse mes palëve ka pasur ndonjë kontakt. /Express/
