Edhe pse është caktuar për nesër në ora 16:00 seanca e radhës për miratimin e projektligjit për marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi, koalicioni ende nuk ka arritur që t’i siguroj votat e mjaftueshme për miratimin e kësaj marrëveshjeje.
Sipas burimeve të Gazetës Blic brenda qeverisë së Kosovës, aktualisht koalicioni i ka siguruar vetëm 78 vota.“Aktualisht na mungojnë dy vota. Pra, vetëm 78 deputetë janë pro miratimit të marrëveshjes”, tha ky burim i Gazetës Blic.
Ky burim ka bërë të ditur se liderët e vendit janë duke bërë përpjekje të vazhdueshme që të bindin deputetët e Listës Serbe që ta votojnë demarkacionin, mirëpo deri më tani nuk kanë arritur t’i bindin.
“Pritet që edhe nesër gjatë tërë ditës të ketë takime, në mënyrë që të sigurohen votat për miratimin e demarkacionit”, tha ky burim.
Edhe një deputet i LDK-së, ka paralajmeruar votë kundër.Burime të Gazetës Blic kanë theksuar se Ramiz Kelmendi nuk do ta votoj demarkacionin.
Kelmendi edhe dje ka bërë të ditur përmes një publikimi në faqen e tij zyrtare në rrjetin shoqëror “Facebook” duke u mbështetur në atë se parlamenti malazez ka marrëveshjen e ratifikuar dhe të nënshkruar pa dokumentet përcjellëse të raportit të Bulliqit.
Marrë parasysh këtë gjendje, sipas Kelmendit që në rastin e parë të implementimit të marrëveshjes për demarkacion kjo çështje mund të bëhet “mollë sherri”.“Ne jemi dëshmitarë se sa shume qytetarë janë grumbulluar në protesta, duke rrezikuar edhe familjet dhe pasuritë e liderëve politik demokratik.
Andaj kjo çështje mos të vazhdoj të mbetet si “mollë sherri” për të ardhmen. Pra, e ri përsëris, duhet ratifikuar ligji i cili avancon dhe fuqizon marrëdhëniet mes popujve dhe shteteve fqinje, e jo ligji i cili rehabiliton liderët politik dhe gabimet e tyre”, tha ai.
Ndërkohë, Gazeta Blic ditë më parë ka raportuar se ishte arritur dakordimi me Listën Serbe për marrëveshjen për demarkacionin.
Mirëpo, në ditën e seancës së fundit për demarkacionin, ata kishin ndërruar qëndrim pa asnjë arsyetim.Sipas burimeve të Gazetës Blic, dyshohet se prapa kësaj situate po qëndronte presidenti i vendit, Hashim Thaçi.
Siç ka mësuar gazeta, në takimin me drejtuesit e Listës Serbe gjatë javës së kaluar, liderët kosovarë ishin pajtuar që në shkëmbim të votimit të marrëveshjes Lista Serbe të merret 3 anëtarë bordit të Trepçës ndërsa koalicioni qeverisës të kishte 6 anëtarët e tjerë.
Lista gjatë takimit kishte hequr dorë nga kërkesa fillestare për të pasur 4 anëtar Bordi duke pranuar një anëtar më pak, ndërsa liderët kosovarë ishin ndarë të kënaqur me marrëveshjen pasi që ajo nuk shkelte asnjë themel ligjor dhe kushtetues të vendit.Në anën tjetër, Vetëvendosje dhe Grupi i Deputetëve të Pavarur kanë theksuar se nuk do ta votojnë në asnjë mënyrë demarkacionin me Malin e Zi.