Aktuale

S’ka pajtim për datën e vazhdimit të seancës konstituive

Edhe pse u ftuan në takim për të caktuar ditën e vazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, përfaqësuesit e koalicioneve dhe subjekteve politike, nuk kanë arritur të caktojë një datë se kur pritet të mbahet vazhdimi i seancës.

Përfaqësues të koalicionit PAN, të cilët bojkotuan seancën e sotme, nuk e bojkotuan këtë takimin. Ty morri pjesë, Pal Lekaj nga AAK, Bilall Sherifi nga Nisma dhe Enver Hoxhaj nga PDK. Ky i fundit tha se kanë marrë vendim për një takim konsultativ për të mërkurën e javës që vjen.

“Qëndrimi i PDK-së, AAK-së dhe Nismës është ky, kryetari i PDK-së, zotëri Veseli dje ka dal me një propozim ku ka treguar përsëri që është në gjendje të del përtej pritjeve të tij individuale që PDK-ja mund të del me një kandidat tjetër për kryetar të Kuvendit, me parakushtin e vetëm dhe të thjeshtë, nëse Kuvendi e voton Qeverinë e zotri Haradinajt, të koalicionit i cili ka fituar zgjedhjet….Ne kemi kërkuar që të mërkurën e ardhshme përsëri të kemi një takim konsultativ të partive politike për të caktuar datën se kur mbahet seanca e radhës, por nuk kemi ra në ujdi për caktimin e ndonjë date të mundshme të seancës dhe unë kam kërkuar disa herë nga kryesuesi që ai të mos ndërmerr veprime për të ftuar deputetët me, që ajo sallë është e shenjt me që kredibiliteti, prestigji dhe besueshmëria e institucioneve sikurse Kuvendi i Kosovës janë të shenjta dhe ne duhet ta kemi një koordinim të plotë para se të hyjmë në atë sallë”, tha ai.

Ndërsa tha se formimi i Qeverisë Haradinaj është i pandalshëm por se ka nevojë për konsensus politik.

Shefi i GP të VV-së, Glauk Konjufca tha se edhe në këtë takim u pa tendenca e PAN, për ta zvarritur konstituimin e Kuvendit, pasi që nuk i kanë numrat, për ta votuar Kadri Veselin. Ndërsa e quan qesharake dhe absurde kërkesën e PAN, për ta votuar Ramush Haradinajn për kryeministër.

“Po duan që të imponojnë kërkesa absurde siç ishte kjo kërkesa e Enver Hoxhajt, që është njëkohësisht dhe mjaftë qesharake, kur të kqyrsh nga kuptimi politik, që LDK në, VV dhe LDK, Alternativës dhe AKR-së që ta votojnë Ramush Haradinajn për kryeministër. Kjo është me të vërtetë qesharake, duke e ditur pozicionimin tonë politik. Në anën tjetër mundësitë shumë më të mëdha i ka vet VV me LDK, AKR dhe alternativen që ta krijojnë një shumicë të qëndrueshme në Kuvend të Kosovës…Ne jemi që Kuvendi i Kosovës të themelohet sa më shpejtë, ne jemi kundër tendencës së PAN-it që të zvarritet pafundësisht mbledhja konstituive e Kuvendit. Sidoqoftë më duket se kryesuesi z. Mikullovci mori vendim në favor të PAN-it, që të ketë një takim konsultativ të mërkurën dhe para të mërkurës të mos ketë seancë. Vetëm e vetëm për t’iu treguar atyre që ndoshta kjo do të jetë hera e fundit që të shpërfaqet se ata nuk e kanë për qëllim mbajtjen e seancës. E kanë thjeshtë një përpjekje për me e shty kohen maksimalisht dhe që të mos zgjedhet kryetari i Kuvendit”, tha ai.

Megjithëse takimi konsultativ u caktua për të mërkurën, Konjufca thotë se VV nuk do të jetë e pranishme në këtë takim.

“VV nuk do të marrë pjesë në takim konsultativ sepse ne jemi për mbajtjen e seancave të parlamentit, jo për tryeza politike ”, tha ai.

Konjufca po ashtu ripërsëriti se janë kundër çdo koalicioni me PDK-në, pasi që kjo do të ishte tradhti për votuesit e VV-së.

“Ne jemi kundër çfarëdo koalicioni me PDK-në. Lëvizja VV këtë e ka shpjeguar para zgjedhjeve, kjo nuk është çështje kompromisi, ne jemi përcaktuar me dal në zgjedhje me atë ofertë. VV i ka marrë 200 mijë vota me atë pozicion politik. Tash me ndryshu atë pozicion politik, do me thanë me i tradhëtu votuesit, do të thotë me e tradhtu vetveten, me i tradhtu parimet tua për çka ke hyrë në politikë”, tha ai.

E shefi i grupit parlamentarë të LAA-së, Avdullah Hoti, e quajti të palogjikshme kërkesën e PAN-it që kryeparlamentari dhe kryeministri të votohen në pako.

“ Pas diskutimeve të gjata, unë kohën kur dola nga takimi ne nuk kemi ende dakordim në nivel të të gjitha partive politike për mbajtje të seancës së radhës, mirëpo presim që kryesuesi do të shfrytëzoj të drejtën e tij kushtetuese për të thirr seancën në momentin kur ai e sheh të arsyeshëm, pasi i ka dëgjuar të gjitha partitë politike që kanë marrë pjesë në këtë takim konsultativ. Kërkesa e koalicionit PAN që është bërë publike që në të njëjtën seancë, të votohet edhe kryetari i kuvendit bashkë Qeverinë nuk ka asnjë logjikë politike dhe nuk është në përputhje me norma demokratike. Kuvendi sot është mbledhur në seancë të rregullt me ftesë të kryesuesit e thirrur në përputhje me kushtetutën. 61 deputet kanë qenë në seancë që nënkupton koalicioni PAN nuk e ka shumicën e nevojshme për të themelua institucionet e vendit. Ne do të mbështesim kandidatin e tyre për të propozuar për kryetar të kuvendit dhe i ftojmë që në seancën e radhës që ftohet në mënyrë të rregullt nga kryesuesi të marrin pjesë dhe të japin kandidatin e tyre dhe ne do të sillemi në përputhje me Kushtetutën”, tha Hoti.

the authorE B