Aktuale

Sindikalistët e KEK-ut kërkojnë nga institucionet që të parandalojnë krizën energjetike

Sindikata e Re Energjetike e Kosovës të mërkurën ka mbajtur protestë para ndërtesës së Qeverisë të Kosovës me qëllim të parandalimit të kolapsit energjetik në vend, dhe në mënyrë që të mos mbesin pa punë rreth 5 mijë punëtorë.

Protestuesit kanë kërkuar që Qeveria të ndërmarr masat emergjente për të zhbllokuar departamentin e djerrinë, për të ndaluar kolapsin energjetik dhe që të mos rrezikohen vendet e tyre të punës.

Nënkryetari i Sindikatës Muharrem Gashi tha se ata nuk kanë pretendime për asgjë, përveç asaj që është e drejtë dhe që është në të mirë të vendit.

“Përveç se duam t’i mbrojmë vendet e punës dhe të drejtat e punëtorëve, ne sot jemi këtu për t’i tërhequr vërejtjen institucioneve shtetërore për gjendjen që është krijuar në KEK. Ne jemi të vetëdijshëm se me neglizhencën e institucioneve përkatëse po rrezikohen rreth 5 mijë vende të punës, po rrezikohen qytetarët. Kosova do të jetë në terr, po rrezikohet ekonomia e vendit, si dhe po rrezikohen të papunët me ngritjen e çmimeve të energjisë që mund të ndodhë si pasojë e ndaljes së prodhimit të energjisë elektrike në termocentralet tona”, tha Gashi.

Kryetari i Sindikatës së Re Energjetike të Kosovës, Rafet Osmani, është shprehur se gjendja aktuale është krijuar si rezultat i pengesave të krijuara nga mos shpronësimi me kohë i pronave të pronarëve legjitim në zonën e shpallur me interes të veçantë ekonomik nga Qeveria e Kosovës.

Osmani i ka bërë thirrje Qeverisë, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimi Hapësinor që të këndellen në mënyrë që të shpëtojnë atë që mund të shpëtohet, ndërsa shtoi se përgjegjësinë karshi situatës së krijuar në KEK do ta bart vet Bordi i drejtorëve dhe menaxhmenti i KEK-ut.

“Nga ky vend kërkojmë që të përballen me drejtësinë dhe të japin përgjegjësi të gjithë ata që këtë pasuri me interes kombëtar me gjithë këto rezerva të qymyrit, e kanë sjellë në gjendje bllokade dhe shkatërrimi. Vlen të theksohet se vetëm për Sibovcin jugperëndimor janë investuar mbi 2 milionë euro, e në gjithë KEK-un, nga paslufta mbi 1 miliardë euro. Pra pas kësaj udhëheqjet e papërgjegjshme na sjellin para aktit të kryer për të blerë energji nga rajoni. Ekskavatorët dhe punëtorët të mbesin pa punë dhe të angazhohen kompanitë private për të marrë milionat. Për të gjitha këto marifete duhet dikush të jap përgjegjësi në këtë vend”, tha Osmani .

Sipas nëse secili institucion t’i kryente punëte veta shpronësimi do të realizohej me një kosto prej 3.5 milionë euro ndërsa nuk do të kishte mundësi të ndërtoheshin afër 300 shtëpi në zonën prej 52 hektarë.

Avokati i autorizuar i Sindikatës së Re Energjetike, Afrim Salihu, tha se Qeveria e Kosovës në bashkëpunim me inspektorët dhe zyrtarët komunalë duhet të gjejnë zgjidhje.

Ai theksoi se është dashur që t’iu ndalohet puna dhe ndërtimi me kohë, atyre që sot posedojnë prona në zonën me interes të veçantë.

Ai u shpreh se punëtorët e KEK-ut do të kenë përkrahjen e vazhdueshme pasi që askush nuk ka të drejtë t’iu ndërpres të drejtën e punës.

“Iu bëj thirrje instancave të larta të shtetit të Kosovës që në afat sa më të shpejtë kohor të gjejnë zgjidhje me pronarët e tokave, t’iu ipet pjesa që iu takon dhe të vazhdojë puna e Kosova të mos mbetet në terr… Kosova në terr do të jetë dëm për të gjithë qytetarët e Kosovës”, tha ai.

Protestuesit dhe drejtuesit e Sindikatës së Re Energjetike të Kosovës kanë paralajmëruar protesta të tjera dhe grevë në rast se kërkesat e tyre nuk merren parasysh. Protesta e mbajtur sot ka ardhur pas paralajmërimeve nga drejtues të KEK-ut se Kosova do të mbetet pa rrymë.

the authorE B