Mungesa e Kryeministrit Ramush Haradinaj në Kosovë ka bërë që seanca e paraparë për nesër të shtyhet për një ditë tjetër. Kështu mëson Gazeta Express nga zyrtarë brenda koalicionit. Kjo shtyrje vjen pas kërkesës që sipas tyre, e ka bërë Kryeministri kosovar. Ky i fundit aktualisht gjendet në Vatikan për një vizitë zyrtare.
Ndërkaq, edhe Kuvendi i Kosovës ka konfirmuar zyrtarisht se seanca e paraparë për 23 maj është shtyrë për një ditë tjetër, ndërsa për vazhdimin e saj do të dilet me njoftim të ri. Ndaj këtij vendimi, ka reaguar ashpër shefi i grupit Parlamentar i LDK’së Avdullah Hoti.
Ai përmes një shkrimi në Facebook ka thënë se Kuvendi është bërë jo funksional dhe urgjentisht kërkohet funksionalizimi i institucioneve legjitime përmes zgjedhjeve.
“Seanca e nesërme e Kuvendit shtyhet. Kuvendi është bërë jofunksional. Kuvendit i ka humbur kuptimi, si institucioni me i lartë i shtetit. Është urgjente funksionalizimi i institucioneve legjitime, përmes zgjedhjeve te lira e demokratike”, ka shkruar Hoti në Facebook, duke mos zbuluar arsyet e shtyrjes.
I ashpër për shtyrjen e seancës është shprehur edhe Milaim Zeka i cili partnerët e koalicionit i ka quajtur mafi dhe se ata që e kanë vendosur për shtyrjen e seancës janë sabotues të vendit.
“Mafia si shtyllë e Kuvendit. Ata që e kanë shty seancën e Kuvendit që ishte planifikuar të mbahej për nesër, përpos injorant, bllokues e sabotues te këtij vendi, janë edhe mafioz.
Te tillët na kanë lanë pa borde funksionale, pa miratim ligjesh, pa Gjykate Kushtetuese. Boll ma”, është shprehur ai.
Sidoqoftë, Artan Murtai nga Instituti Demokratik i Kosovës, institut ky që monitoron punën e legjislativit ka thënë se kjo dukuri po e dëmton seriozisht shtetin e Kosovës.
“Kuvendi nuk po del nga qorrsokaku. Seanca që parashihej të mbahej nesër, u shty. Kjo dukuri është kthyer në rutine tanimë, rutinë që seriozisht po dëmton shtetin e Kosovës. Po, Kuvendi është jofunksional. Jo, subjektet politike nuk po dinë ta funksionalizojnë. Madje, nuk po kanë as vullnet për një gjë të tillë”, është shprehur ai.
Për ditën e nesërme ka qenë e paraparë të vazhdohen punimet e seancës plenare me pikat e papërfunduara më 16, 17, 18, 20 dhe 26 prill, si dhe seancës me pikat e papërfunduara nga data 3 maj
Ndër pikat e rendit të ditës kanë figuruar tri interpelanca për kryeministrin Ramush Haradinaj, e po ashtu edhe propozimi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje për shkarkimin e nënkryetares së Kuvendit, Aida Dërguti./GazetaExpress/