Sport

Shqipëria arkëton tri pikë kundër Lihtenshtajnit

Kombëtarja kuqezi ka shënuar fitore jo edhe aq të lehtë në përballje me Lihtenshtajnin, sonte në Elbasan Arena me rezultat 2:0, në kuadër të grupit G kualifikues për botërorin “Russia 2018”.

Futbollistët kuqezi në 45 minutat e para të takimit patën iniciativë dhe raste të shumta shënimi, por sulmuesit e Shqipërisë nuk u treguan sa duhet të vëmendshëm para portës kundërshtare, duke bërë që shifrat në këtë pjesë lojë të mbeten të pandryshuara 0:0.

Shqipëria edhe pjesën e dytë të takimit e nisi me sulme të furishme, duke kërkuar vazhdimisht golin e epërsisë. Një mundësi të tillë e pati Llullaku në minutën 50, por goditja e tij përfundoi pranë portës kundërshtare. Pak minuta më vonë Memushaj pati rast për të shënuar, por topi u devijua në korner.

Epërsia e Shqipërisë në terren u shpagua në minutën 54 kur Odise Roshi shënoi golin për 1:0. Futbollistët kuqezi nuk u ndalën me kaq dhe pas golit të shënuar ishin në kërkim të dyfishimit të epërsisë dhe Mërgim Mavraj në minutën 57 pati një rast të mirë të shënuar, por nuk pati fat.

Agolli në minutën 63 rrezikoi nga distanca, por portieri mysafir Jehle dëboi topin jashtë vijës këndore.

Hysaj dhe Burgmeier në minutën 70 patën një zënkë ndërmjet vete, pasi që ky i fundit shtyri lojtarin kuqezi. Megjithatë, incidenti kaloi pa u ndëshkuar asnjëri nga lojtarët me karton të verdhë.

Odise Roshi pati një rast të mirë të ngritur epërsinë në minutën 74, por goditja e tij u prit nga Jehle.

Agolli në minutën 74 dyfishon shifrat, duke ngritur epërsinë e Shqipërisë ndaj Lishtenshtajnit me rezultat 2:0, i cili ishte edhe rezultati përfundimtar i takimit.

Kjo njëherësh ishte ndeshja e parë e Shqipërisë, pasi që postin e trajnerit të kombëtares kuqezi e mori Christiano Panucci.

Pas kësaj fitoreje Shqipëria mbetet në pozitën e tretë në grupin G me 12 pikë, derisa dy pozitat e para i mbajnë Spanja dhe Italia me nga 16 pikë. Shqipëria ndeshjen e radhës në grup do ta ketë përballë Maqedonisë. /KosovaPress/