Policia e Shtetit ka marrë masa të forta në kuadër të ndeshjes mes Shqipërisë dhe Izraelit që do të luhet në stadiumin ‘Elbasan Arena’ këtë të shtunë.
Burime nga policia i thanë Gazeta Express se, stadiumi do të menaxhohet nga Policia e Shtetit, ku për të garantuar sigurinë dhe mbarëvajtjen e ndeshjes do të angazhohen forcat RENEA, Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë si dhe për monitorimin e stadiumit do të patrullojnë disa helikopterë nga ajri.
Po ashtu, të pranishëm në pika kyçe do të jenë të pranishëm edhe snajperat e RENEA-s.
Për sa i përket forcave të policisë që do të angazhohen në këtë ndeshjes, Gazeta Express ka mësuar se do të jenë në terren po aq sa kanë qenë në ndeshjen që Shqipëria ka zhvilluar me Serbinë një vit më parë.
Menaxhimi i stadiumit i është lënë policisë lokale, ndërsa kontrolli dhe ruajtja e sigurisë në qytetin e Elbasanit gjatë ndeshjes do të merret përsipër nga Policia e Shtetit.
Megjithëse, burime nga policia e Shtetit bëjnë me dije se deri tani nuk ka pasur asnjë të dhënë për rrezik të mundshëm, këto masa janë marrë që gjatë ndeshje të mos ketë asnjë incident.
Për lëvizjet që do të bëjë skuadra e Izraelit nga mbërritja në aeroport dhe deri në stadium, është angazhuar policia rrugore e Tiranës si dhe ato të Ndërhyrjes së Shpejtë.
Në kudër të gjitha masave që janë marrë për këtë ndeshje dhe për menaxhimin e saj nga ana e sigurisë, burimet bëjnë me dije se ka pasur një takim mes drejtueseve të policisë dhe përfaqësuesve të Federatës së Izraelit që kanë ardhur në Tiranë.
Ndeshja mes Shqipërisë dhe Izraelit ishte parashikuar që të zhvillohej në stadiumin ‘Loro Boriçi’ në Shkodër, por ishte UEFA ajo që kërkoi që ndeshja të luhej në një tjetër stadium, në ‘Elbasan Arena’. /Gazeta Express/