Sport

Shqipëri-Izrael, lajm i papritur nga gjyqtari “i urryer”

Humbja e kuqezijve përballë Izraelit më një rezultat 3 me 0, ngjalli reagime nga më të ndryshmet nga tifozët të cilët ofenduan dhe fajësuan rëndë arbitrin turko-gjerman.

Në një intervistë për “Supersport”, Sokol Jareci i ka komentuar si të drejta vendimet e Deniz Ajtekin. Si në rastin e kartonëve të kuq, ashtu edhe për akordimin e 11-metërshave.

Rasti i Gjimshitit

“Prej 1 qershorit kanë hyrë në fuqi ndryshimet në rregullore, ku specifikohet nësendëshkimi i lojtarit që shkakton ndërhyrjen do të jetë me kartonin e verdhë apo me kartonin e kuq. Me karton të verdhë, mbrojtësi ndëshkohet nëse shkakton faull, por është në duel për topin, ndërsa masa disiplinore me karton të kuq vjen në momentin kur ka shtyrje, mbajtje apo tërheqje.

Ky rregull bën që rasti i Gjimshitit të ishte për karton të kuq. Topin e ka në zotërim sulmuesi i Izraelit, ndërsa Gjimshiti e kishte pothuajse të pamundur për ta arritur. Kjo është një situatë ky arbitri ishte i saktë. E vetmja mundësi e Gjimshitit për të evituar kartonin e kuq ishte të ndërhynte në sparkatë, për t’i treguar gjyqtarit që synon ndërhyrjen te topi”.

Rasti i Berishës

“Edhe kartoni i kuq i portierit ishte i saktë, duke u zbatuar rregullorja: Nëse ndodh një sjellje e parregullt, gjyqtari ndërpret lojën, e cila nis me masë teknike në vendin ku ndodhi situata. Në rastin e Shqipërisë, kjo ndodhi në zonë dhe pas sinjalizimit të asistentit, arbitri akordoi me të drejtë penallti, ndërsa Berisha u ndëshkua me karton të kuq për sjellje të dhunshme në fushë”.