Ish-kryeministri grek, Lucas Papademos, është plagosur mbrëmë nga një shpërthim brenda makinës së tij në Athinë. Raportet thonë se shpërthimi mund të jetë shkaktuar nga një letër-bombë, transmeton Express.
Papademos, 69 vjeç, kishte lëndime në këmbë, në krah dhe stomak, por zyrtarët thanë se gjendja e tij nuk është shqetësuese.
Edhe shoferi i ish-kryeministrit u plagos nga ky shpërthim, por nuk është në gjendje të rëndë shëndetësore. Raportimet e medieve në Greqi thonë se edhe një person tjetër ishte në makinë me ish-kryeministrin grek.
Asnjë grup nuk e ka marrë përgjegjësinë për shpërthimin e së enjtes mbrëma që ndodhi në Athinë, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Papademos u emërua kryeministër në nëntor të 2011-s, kur Greqia gjendej në mes të trazirave politike dhe ekonomike. Ai shërbeu në post deri në maj të 2012-s.
Ai, gjithashtu, ka shërbyer edhe si nënkryetar i Bankës Qendrore Evropiane.
Shpërthimi ndodhi rreth orës 18:30 në qendër të Athinës në Greqi.
Pas plagosjes së ish-kryeministrit grek dhe shoferit të tij, identiteti i të cilit nuk është bërë i ditur, të dy janë dërguar në spitalin Evangelismos.
Kryeministri aktual i Greqisë, Alexis Tspiras, i cili po merrte pjesë në samitin e NATO-s në Bruksel, agjencia e lajmeve greke ANA thotë se është informuar për incidentin, mirëpo deri tani nuk ka dhënë asnjë koment.





















