Një ditë pasi i dedikoi një mesazh të ndjerë, njeriut me të cilin ndau disa vite të vyera nga jeta e tij, Bjordi Mezini ka shpërthyer në mëri e deri në fyerje ndaj atyre që e komentuan këtë mesazh si të vonuar, apo që e fajësuan për ndarjen nga Adelajda Xhamani.
Këtë të hënë, pasi ishte në ceremoninë mortore të gazetares 31-vjeçare, e cila u nda nga jeta një ditë më parë, Bjordi ka zgjedhur që dhimbjen që ka nga brenda ta shkarkojë në një reagim të ashpër për të gjithë ata që ai i konsideron “të keqen më të madh të këtij vendi”.
Më poshtë po ju sjellim reagimin e plotë të postuar në faqen e tij sociale në Instagram:
“Shkruaj këto fjalë tani sepse e di që nesër do qetësohem dhe do vazhdoj t’ju injoroj siç ju kam injoruar gjithmonë. Por sot jo, sot dua t’ju shfrytëzoj për të shkarkuar sado pak nervat dhe dhimbjen që kam brenda. Të bëheni dhe ju të dobishëm një herë në jetë. Ju, që mbushni boshllëkun e jetës tuaj me fatkeqësitë dhe gëzimet e njerëzve qe as nuk njihni dhe as nuk kuptoni dot. Juve dua t’ju them që urrej çdo gjë që përfaqësoni: injorancë, ligësi, boshllëk. Ju jeni e keqja më e madhe e këtij vendi. Ju që vendosni nëse është e drejtë të qajmë një njeri të dashur ose jo. Mendoni se mendimi juaj i cekët dhe i lig është i vlefshëm, por nuk i duhet askujt. Flisni vetëm sepse keni mundësi ta bëni, por nuk kam nevojë për ju. As për like-t tuaja ose për follow-in tuaj. Asnjëri ka nevojë për ju. Do thoja që jeni për të ardhur keq, por e vërteta është që për të ardhur keq është toka e shkretë që ka taksiratin t’ju mbaj gjallë me oksigjen falas. Ju kanceri i kësaj botë nuk meritoni as mallkim, sepse të mallkuar keni lindur. Por gjëja më e trishtë është që gjithsesi nuk do kuptoni dot këto fjalë që po lexoni sepse jeni të vonuar dhe truri juaj i nënzhvilluar nuk ju lejon të bëni një analizë të saktë. Por siç thashë më sipër, sot ju shfrytëzova unë, sepse kisha nevojë për ju. Dhe pse nuk do sjellë asnjë ndryshim në jetën tuaj mizore dhe as tek e imja, te paktën sot shkarkova pak nga inati që kam më padrejtësinë e botës në këtë ditë e zezë për mua. Tani tërhiqni like-un tuaj mbrapsht dhe vazhdoni të parazitoni në të vetmën botë ku ndjeheni të rëndësishëm, ajo virtuale. Me mosrespektin maksimal. Sinqerisht, Bjordi”.