Aktuale

Shkodra: Zjarrfikësit të harruar nga shteti

Zjarrfikësit po ndihen të anashkaluar dhe të lënë pas dore nga institucionet e Kosovës. Si problemi më esencial është statusi i pa definuar i zjarrfikësve. Po ashtu, problem mbetet edhe konflikti për kompetenca në mes komunave dhe Ministrisë së Punëve të Brendshme, gjegjësisht Agjencionit për menaxhimin e Emergjencave (AME).

Kështu ka deklaruar kryetari i Shoqatës Sindikale të Zjarrfikësve në Prishtinë, Abdusamed Shkodra, i cili theksoi se zjarrfikësit në kryeqytet nuk kanë kushte të favorshme për punë, sepse, nuk u paguhen as orët shtesë të punës, ndërrimin e natës, punën gjatë festave zyrtare dhe fundjavë e të cilat janë të parapara me ligjin e punës.

Shkodra në një intervistë për KosovaPress, theksoi se zjarrfikësit meqë janë të rrezikuar për jetën në punë janë pa sigurim shëndetësor e invalidor. Për këtë ai paralajmërojë edhe një protestë e cila është e pa shmangshme dhe do të ndodhë brenda këtij muaj.

“Qe 18 vjet pas lufte institucionet tona nuk kanë një kujdes ose një vëmendje tek ky shërbim që është për qytetarët. Unë po i bëjë thirrje institucioneve që urgjentisht duhet të rregullohet statusi juridik i zjarrfikësve për të definuar kompetencat menaxhuese, për përmirësimin e kushteve të punës, që të sigurohen pajisjet për punë, të kompensohen ndërrimet e natës, të kompensohet puna jashtë orarit, të respektohen festat shtetërore dhe fetare”, theksoi Shkodra.

Kryesindikalisti i zjarrfikësve thekoi se paga prej 320 eurosh është mjaft e vogël për një zjarrfikës duke u bazuar me rrezikun e jetës që ka gjatë intervenimit të përditshëm. Sfidë tjetër sipas Shkodrës, mbetet edhe numri i vogël i zjarrfikësve në njësinë e Zjarrfikësve në Prishtinë që është vetëm 107 me punëtorë administrativ, e bazë të standarde evropiane për çdo një mijë banorë duhet të jetë nga një zjarrfikës.

Ai thotë se zjarrfikësit janë peng i inateve politike, ku si pasojë e mos komunikimit të nivelit qendror dhe atij lokal, bën që t’iu vështirësohen veprimet profesionale. Shkodra apeloi te institucionet përkatëse për kujdes më të madh ndaj këtij shërbimi i cili është jetik për sigurinë qytetare, sepse nëse shteti nuk tregon vëmendje dhe përkushtim ndaj këtij shërbimi, ata që do të pësojnë do të jenë qytetarët e këtij vendi.

“Për fat të keq ne prej vitit 2012 pagat i marrim me komunë, ndërsa ligjërisht jemi me ministrinë e MPB-së. Po aq shumë është krijuar një konfuzitet ose një dualizëm në mes tyre që ne për kërkesat tona nuk dimë as kujt t’i drejtohemi, nëse i drejtohemi komunës ata na thonë se nuk jeni nën menaxhimin tonë, ndërsa nëse i drejtohemi ministrisë, ata arsyetohen tek ligji për financat e qeverisjes lokale, kështu që ky dualizëm në mes tyre ka bërë që neve të na nxjerr shumë probleme edhe në mbarëvajtjen tonë”, deklaroi Shkodra.

Për këto kushte të rënda, kryesindikalisti i zjarrfikësve në Prishtinë ka fajësuar institucionet e vendit, si në nivelin qendror dhe atë lokal, duke thënë se kanë lënë pas dore këtë kategori e cila është jetike për sigurinë e qytetarëve. Sipas Shkodrës, uniformat e punës dhe automjetet nuk janë efikase dhe shkaktojnë rrezik gjatë kryerjes së punës së tyre. Ai tha se Ligji i Punës nuk gjen zbatim tek njësitë e zjarrfikësve dhe shpëtimit dhe ka shkelje enorme të të drejtave të punëtorëve.

“Nuk ka as investime kapitale te ne. Sa i përket edhe uniformave që i përdorim për intervenim kanë një afat të caktuar, ato uniforma kanë ardhur te ne në vitin 2011 që kanë një afat deri në pesë vjet, ndërsa iu ka skaduar afati dhe më nuk qan askush kokën. Ne duhet me ato uniforma të kryejmë punën në intervenime që nuk janë të sigurta aspak”, theksoi Shkodra.

Si shqetësuese për Shkodrën janë edhe automjetet e tyre të punës, të cilat janë mjaft të pasigurta për ngasësit dhe për qytetarët tjerë në komunikacion.

Sipas tij, zjarrfikësit ndryshe konsiderohen si njësiti më i rrezikuar dhe njëkohësisht më i respektuari në mbar boten. Ai tha se misioni prej zjarrfikësi aq sa është human dhe sfidues, sepse donë gatishmëri, përkushtim, profesionalizëm dhe guxim.

the authorE B