Sport

Shkëndija kalon në rundin e dytë të Europa League

Skuadra e Shkëndisë është kualifikuar në rundin e dytë të garave në Evropa Ligë, pasi që edhe në ndeshjen e kthimit ka mposhtur ekipin moldavian Dacia me rezultat 4:0.

Si në ndeshjen e parë edhe në ndeshjen e kthimit “kuqezinjtë” nuk kanë bërë gabime.

Tetovarët takimin e parë e kishin fituar me 3:0 në Strumicë dhe me rezultat të përgjithshëm 7:0 eliminuan skuadrën moldaviane.

Në 45 minutat e parë të ballafaqimit gjithçka u qartësua kur kuqezinjtë udhëhoqën me rezultat 2:0. Në minutën e 32-të, Armend Alimi ndëshkoi vendasit, kurse një minutë pa përfunduar periudha e lojës Stenio Junior dyfishoi epërsinë (0:2).

Shkëndijes iu lehtësua puna nga minuta e 37-të, kur Androniq u përjashtua nga loja për shkak të dy kartonëve të verdhë.

Në pjesën e dytë, Shkëndija shënoi edhe dy herë, zëvendësuesi Arbin Zejnullai shtoi epërsinë në 3:0 në minutën e 81-të, kurse kapiteni Ferhan Hasani nga penalltia 89’, vulosi rezultatin përfundimtar 4:0.