Inspektori i Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), Xhemë Shala, ka deklaruar se gjatë inspektimit në vitin 2016, biznesi “Portat”, pronë e ish-imamit Shefqet Krasniqi, ka rezultuar me obligime tatimore të pakryera, në shumën mbi 20 mijë eurosh.Por, sipas tij, pas kontrollit nga inspektorët e ATK-së dhe pas bashkëpunimit me përfaqësuesin e këtij biznesi, subjekti në fjalë më pas i ka kryer këto obligime tatimore.Shala këto deklarata i ka dhënë gjatë seancës të së martës, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku ka vazhduar gjykimi ndaj ish-imamit Shefqet Krasniqi, i cili akuzohet për vepra penale të terrorizmit dhe për shmangie nga tatimi.
Ai ka thënë se disa prej obligimeve janë shlyer edhe mbi bazën e Ligjit për Faljen e Borxheve Publike, që sipas tij, subjekti “Portat”, ka shfrytëzuar këtë të drejtë.Shala ka shtuar se pas kontrollit, i është dhënë afat që t’i përmirësojë këto obligime, ku siç ka thënë inspektori, biznesi “Portat” në gjendjen e ATK-së, nuk ka obligime të pakryera mbi tatimin.
“Pas kontrollit nga ana jonë tatim paguesit i është dhënë afat që t’i përmirësojë gjetjet e kontrollit, por edhe në vazhdimësi gjatë gjithë ecurisë së kontrollit ka qenë bashkëpunimi me përfaqësuesin e subjektit në fjalë për të gjitha të gjeturat dhe parregullsitë e hasura gjatë kontrollit. Ne i kemi ofruar një draft kontroll palës që ajo të jep prova për atë draft raport, me të gjitha të gjeturat e raportit, ndryshimet, bazën ligjore dhe ka pasur afat brenda 5 dite pune nëse ka prova t’i dorëzojë në ATK. Pasi nuk ka pasur ankesë kur është nënshkruar raporti nga ana e palës për raportin përfundimtar edhe pas pranimit të njoftimit të rivlerësimeve dhe raportit përfundimtar, tatimpaguesi nuk ka ushtruar ankesë dhe sa jam në dijeni i ka kryer obligimet tatimore dhe gjendja e tij është pa obligime tatimore në gjendjen e ATK-së”, ka thënë inspektori, Xhemë Shala.
Inspektori ka shtuar se ky kontroll nga ATK-ja ishte bërë me kërkesë të Departamentit për Krime Ekonomike.
“Përpilimin e raportit e kemi bërë në zyrat e ATK-së në pjesën ma të madhe, ndërsa pjesa tjetër është bashkëpunuar me përfaqësuesin e tatimpaguesit për gjithçka”, ka thënë ai.Pas dëshmisë së inspektorit të ATK-së, në këtë rast fjala përfundimtare është caktuar për 20 mars të këtij viti, nga ora 15:00.Ndryshe, gjatë gjithë këtij procesi gjyqësor, ish-imami Shefqet Krasniqi është deklaruar i pafajshëm për akuzat me të cilat përballet.
Në bazë të aktakuzës së 27 shkurtit 2017, Shefqet Krasniqi, akuzohet për veprën penale “shtytje në kryerjen e veprave terroriste”, nga viti 2013 e deri më 2014, në cilësinë e imamit të Xhamisë së Madhe “Mehmet Fatih”, në Prishtinë, në vazhdimësi dhe me dashje ka shpërndarë mesazhe për publikun, kryesisht në mënyrë indirekte, mesazhe të cilat kanë shtyrë të tjerët të marrin rrugën për Siri dhe Irak dhe të ndërmarrin veprime terroriste në ato vende.
Prokuroria pretendon se Krasniqi, ka shfrytëzuar paraqitjet e tij të drejtpërdrejta me anë të ligjëratave dhe duke shfrytëzuar rrjetet sociale dhe mjetet tjera të informimit, përmes gjuhës së vrazhdë dhe interpretimeve të ajeteve kuranore jashtë kontestit kohor dhe frymës parimore islame. Prokuroria, në këtë kontest përmend ligjëratat “Revulucioni Sirian” dhe “Ndihmone Sirinë”.
Gjithmonë sipas aktakuzës, nga ligjëratat e Krasniqit janë ndikuar shumë persona që të bëhen pjesë e organizatave terroriste “ISIS” dhe “Al Nusra”, e ku përmenden Venera Ademi, Ilir Mustafa e Blerim Heta. Sipas prokurorisë, Blerim Heta, më 25 mars 2014, kishte kryer një veprim terrorist vetëvrasës, në të cilin rast kishin mbetur të vrarë 52 persona në Irak.
Ligjëratat “Revulucioni Sirian” dhe “Ndihmone Sirinë”, sipas prokurorisë janë inkriminuese që Krasniqi ka kryer edhe veprën penale “nxitje të urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtarë, racor, fetar apo etnik”, pasi pretendohet se ai përmes gjuhës së vrazhdë dhe interpretimeve të ajeteve kuranore jashtë kontestit kohor dhe frymës parimore islame, ndër të tjera thuhej se “sllavët rusë dhe budistët e komunistët kinez, kanë bërë dhe po bëjnë krime të mëdha kundër vëllezërve tanë myslimanë, se janë duke vrarë vëllezërit tanë myslimanë në Siri”.
Krasniqi në bazë të aktakuzës, ngarkohet edhe për veprën penale “shmangie nga tatimi”, pasi pretendohet se si pronar N.T “Portat”, në periudhën kohore 2011 deri më 2016, më qëllim të fshehjes apo shmangies së pjesshme ose të tërësishme të tatimit, me dashje ka dhënë të dhëna të pavërteta duke mos i kryer obligimet që parashihen me Ligjin për Administratën Tatimore. Krasniqi pretendohet se nuk i ka kryer obligimet tatimore, në vlerë të përgjithshme prej 20.208.57 euro.
Më 22 dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte refuzuar kërkesën e mbrojtjes për hudhjen e aktakuzës në këtë rast.