Shaip Shala nga fshati Trudë i komunës së Prishtinës po pretendon që mos ndreqja e rrjetit elektrik i ka shkaktuar dëme në biznesin e tij të vogël. Ai madje ka paralajmëruar se do të ngrisë padi nëse këto dëme nuk ia paguan KEDS-i.
Shala i cili bashkë me familjen e tij, jeton nga një dyqan i vogël, ankohet se e ka problem të rregullojë pajisjet elektrike të cilat iu kanë djegur si pasojë e përpjekjeve të telave të rrymës, derisa një gjë e tillë po i sjellë probleme në zhvillimin e biznesit.
“Neve na ka djegur dy frizat e kokakolës, na i ka djegur frizin e akulloreve, na ka djegur frizin e mishrave në ketë lokal. Për në shtëpi kam arrit ta ndali, se këtu i dul tymi, ndërsa të shtëpia i kam ndal s’më ka djeg. Unë nuk e di çka mendon ky KEK, na i bjen faturat thua që është lokal i madh këtu, 60 euro, po e shihni, 23 metra katror i ka kjo, 60 euro. Ne jemi duke ua paguar rrymën edhe serbëve të veriut dhe Gracanicës, se atyre nuk guxojnë me shku me iu than KEDS-i qitni parët këtu, por neve po na e lujnë nanen kështu”, tha Shala.
Sipas tij, era e madhe ka pështjellur telat, duke djegur pajisjet elektrike në lokal.
“Jam kanë në KEK e kam bërë ankesën, thanë na vijmë e marrim e shikojmë, tash po presim, a vijnë apo jo nuk e di. A për me ju besu, pasha zote asnjë kokërr, nuk është për t’iu besuar….vallain kurrë, kurrë, kush me kompensuar katinarin e shkretë, jo bre këta në qafë na shkelin. Me këtë rrymë kështu, nuk erdhën me ndreq me shtylla të betonit dhe tela bistek sepse për ata e ka marrë ky zotëria sepse për kështu kemi qenë për faqe të zezë. Ky asgjë nuk bani, veç po i merr paratë dhe po i mbushë gjepat”, tha ai.
Sipas tij, janë mbi 300 euro që iu është bërë dëmi, derisa nuk mund t’i rregullojë me fitimet që ka nga biznesi i vogël.
“Për afërisht mbi 300 euro shkojnë. Tash kur i marrim 300 euro ne me këtë lokal, ku i bëjmë na 300 euro për këto dëmtime. …Po në qoftë se nuk i paguajnë gjithqysh ne do të shkojmë përmes avokatit në gjyq do të shkojmë, ne do t’i dërgojmë në gjykatë se nuk shkohet kështu”, tha ai.
KosovaPress ka kontaktuar gjatë vikendit me zëdhënësin e KEDS-it, Viktor Buzhala, i cili ka thënë se është jashtë vendit dhe se përgjigje mund të jap tek të hënën./KosovaPress/