ShowBiz

Sërish ndërpritet seanca, mungon PAN

As sot deputetët e PAN-in dhe minoriteteve nuk erdhën në sallën e Kuvendit, ku pritej të mbahet seanca konstituive. Të pranishëm në sallë ishin vetëm deputetët e LAA-së, VV dhe deputeti i PAN-it, Milaim Zeka.

Qysh në fillim të seancës, kryesuesi Adem Mikullovci u detyrua ta ndërpresë atë për një pauzë 10 minuteshe, pasi që mungonte kuorumi.

“Kuorum nuk kemi, në sallë janë 53 deputet. Propozoj ta bëjmë një pauzë të shkurtë prej 10 minutave, të presim e mandej po vazhdojmë deri në fund”, tha ai.

Seanca vazhdoi pas 10 minutave, ku mikullovci paralajmëroi se do ta ndërpresë për të vazhduar ndonjë ditë tjetër. Megjithatë, ai ia dha fjalën shefit të grupit parlamentare të Lëvizjes Vetëvendosje, dhe atij të koalicionit LAA-në.

Shefi i GP të Vetëvendosjes, Glauk Konjufca tha se mungesa e PAN-it, tregon se ata nuk po duan assesi të dalin në opozitë dhe se nuk i kanë numrat. Ndërsa i ftoi që ta ndërpresin bojkotin, të kthehen në Kuvend dhe mos ta mbajnë peng krijimin e institucioneve, pasi që një situatë e tillë nuk mund të vazhdojë pafundësisht.

“ I ftojmë PAN-in që ta ndërpres bojkotin e seancës konstituive dhe e ftojmë që ta propozojnë kandidatin e tyre për kryetar të Kuvendit të Republikës të Kosovës. Rregullat e demokracisë thonë kështu, kur nuk i ke votat dhe kur dëshiron t’i arrish ato, duhet të bësh kompromis. Kompromisin që ne po ua kërkojmë atyre është që të mos e qesin për kryetar të Kuvendit një figurë e cila prej shumicës së deputetëve të Kuvendit të Republikës të Kosovës është e papranueshme. Nëse i pyesni të gjithë deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe koalicionit LAA, ata thonë që Kadri Veseli nuk është i pranueshëm për kryetar të Kuvendit. Kjo i imponon Kuvendit të Kosovës zgjedhjen e një kryetari tjetër. Nuk ka zgjidhje tjetër përpos zgjedhje e një kryetari tjetër, përveç Kadri Veselit. Nëse kjo ofrohet, atëherë ne do ta shqyrtojmë propozimin e tyre dhe të shkojmë përpara me themelimin e Kuvendit të Republikës të Ko sovës dhe menjëherë pas kësaj, presim që të vazhdohet me themelimin e Qeverisë të re. Institucionet nuk mund të mbahen të bllokuara, shteti i Kosovës nuk ka para dhe kohë për të humbur”, tha ai.

Konjufca reagoi edhe në lidhje me sulmet që spas tij, po i bëhen kryesuesit të Kuvendit nga zyrtarë të PAN-it.

‘Koalicioni PAN, përgjatë gjithë javës së kaluar në mënyrë të paskrupullt përmes zyrtarëve të vet e ka sulmuar kryesuesin e kësaj seance themeluese, një deputet të nderuar edhe të 2 Korrikut, deputetin më të moshuar në mesin tonë, zotëri Adem Mikullovcin. Ne shprehim mospajtimin tonë dhe jemi shumë të indinjuar që ata në këso mënyra kaq të paskrupullta e sulmojnë deputetin Adem Mikullovci, duke u përpjekur që mbi një seancë konstitutive, mbi të cilën askush nuk ka monopol, ata po duan përmes disa takimeve konsultative ta krijojnë njëfarë lloj të drejtës të vetos për këtë seancë themeluese të Republikës së Kosovës. Nuk mund askush të ketë të drejtën e vetos mbi vazhdimin e kësaj seance” , tha ai.

Ndërkaq, shefi i GP të LDK-së, Avdullah Hoti tha se mungesa e PAN në seancë, e bënë të qartë se kush po e bllokon themelimin e institucioneve të vendit.

“Kemi humbur shumë kohë, është dashur që edhe Kuvendi dhe Qeveria të jenë funksional, gati tash e dy muaj. Kjo e bënë të qartë kush është i përgjegjshëm në themelimin e institucioneve. Kryesues i seancës, unë të sugjeroj që ju të ftoni takim tjetër konsultativ, të sigurohemi që t’i kemi të gjithë përfaqësuesit e partive politike në takim konsultativ dhe së bashku të merremi vesh për datën e seancës së ardhshme, përndryshe ne duhet të konsiderojmë rrugë tjera kushtetuese dhe ligjore për të bërë të mundur konstituimin e institucioneve të vendit. Interpretimet juridike të juristëve tanë janë të qarta që një e drejtë kushtetuese mund të konsumohet edhe nëse nuk shfrytëzohet. Do ta kemi dhe një përpjekje të fundit për konstituimin e institucioneve të vendit dhe të lëvizim në atë drejtim, në rast se vazhdojmë që PDK dhe koalicioni që udhëhiqet nga PDK të bllokojnë themelimin e institucioneve të vendit”, tha ai.

Pas Hotit, kryesuesit vendosi ta ndërpres vazhdimin e seancës konstituive.

“Do të njoftoheni për seancën e ardhshme vazhdimin. Veç të iu njoftoj se në këtë moment kuorum kemi por po mungon PAN-i dhe pa PAN-in nuk mund ta vazhdoj punën, janë 61 deputet prezent”, tha ai.

Deputetëve në vazhdimin e seancës iu ka mbetur të votojnë për kryetarin dhe nënkryetarët e Kuvendit, për të vazhduar pastaj me formimin e Qeverisë.

the authorE B