Rajon & BotëSport

Serbët e Bosnjës fitojnë referendumin kontradiktor

Serbët e Bosnjës votuan me shumicë dërrmuese për të mbajtur 9 janarin si ditë pushimi kombëtar, duke sfiduar hapur Gjykatën Kushtetuese të vendit.

Përderisa janë numëruar rreth 80% e votave, raportohet se 99,8% e serbëve të Bosnjës votuan duke mbështetur ditën e pushimit.

Më herët, Gjykata Kushtetuese kishte vendosur se 9 janari nuk duhej mbajtur si ditë pushimi sepse diskriminonte myslimanët e Bosnjës dhe katolikët kroatë.

Më 9 janar 1992, serbët shpallën krijimin e shtetit të tyre brenda Bosnjës dhe kjo shkaktoi një konflikt etnik që i kushtoi jetën rreth 100 mijë njerëzve.

Mbi 1.2 milionë njerëz kishin të drejtën e votës dhe sipas autoriteteve, pjesëmarrja ishte 56%.

Presidenti i serbëve të Bosnjës, Milorad Dodik tha se referendumi do të hyjë në histori si dita e vendosmërisë serbe.

Analistët thonë se pavarësisht rezultatit, vetë referendumi ka dëmtuar raportet etnike në Bosnjë dhe gjithashtu besueshmërinë e zyrtarëve ndërkombëtarë që ende mbikëqyrin vendin.

Lëvizja e Dodik është cilësuar si një kërcënim për marrëveshjen e paqes së Dejtonit që i dha fund konfliktit në vitin 1995.