Deputetët e Kuvendit të Kosovës, pritet të mblidhen të premten, për të katërtën herë vetëm gjatë këtij muaji, për ta hedhur në votim marrëveshjen për demarkacionin me Malin e Zi.Është thënë se një seancë për demarkacionin do thirret për sot, ditë e mërkurë, mirëpo kjo si duket është shtyrë për të premten.
Nënkryetari i Kuvendit dhe anëtari i kryesisë së Kuvendit nga radhët e PDK-së, Xhavit Haliti ka thënë se Kuvendi nuk duhet dhe nuk mund të mblidhet pa u siguruar fillimisht votat, dhe ato ende nuk janë të sigurta.
Ai ka thënë se deputetët, nuk mund të mblidhen sa për ta provuar fatin, nëse kanë ose jo numrat, sepse në rast të votimit kundër, dëmi do ishte shumë i madh për Kosovën.
“Nuk ka nevojë me ba zhurmë kot, Kuvendi duhet të mblidhet vetëm në momentin kur arrihet ndonjë marrëveshje konsensuale ose më shumicë votash, ngase duhen 2/3, e kështu për të bisedu kot, nuk ka nevojë me u mbledh.
Unë jam kundër që të mblidhemi për të votuar kundër, për ta provu fatin, sepse ka dëm të shumëfishtë për Kosovën.” ka thënë Haliti për Gazetën Blic.Nënkryetari i Kuvendit ka thënë se e premtja mund të jetë dita kur do bëhet votimi i demarkacionit, ngase vendet mike, dhe liderët kryesor në vend sipas tij, janë duke punuar me intensitet të lartë këto ditë për ta quar përpara marrëveshjen, dhe sipas tij ka lëvizje pozitive.
“Mbase do behët të premten, realisht janë duke e ndihmu këtë proces edhe protagonistë të vendeve mike, edhe një pjesë e politikanëve të cilët janë të ngarkuar me detyrë për tu marrë me këtë çështje, ka lëvizje pozitive, mirëpo unë nuk mund të them diçka konkrete ngase akoma nuk jemi të sigurt.” ka thënë Haliti për Gazetën Blic.
Edhe anëtarja e kryesisë së Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje, Aida Dërguti ka thënë për Gazetën Blic, se kryesia as nuk është ftuar, e as njoftuar ende asgjë për ndonjë takim, e që do e caktonte më pas seancën për demarkacionin.E sjellur që tre herë në Kuvend, që kur Qeverinë e morri Ramush Haradinaj, marrëveshja për demarkacionin nuk u hodh asnjëherë në votim, si shkak pikërisht i mungesës së votave që do ta ratifikonin atë.
E nëse dështon votimi i saj, marrëveshja nuk mund të kthehet në seancë, deri pas 10 ditësh./GazetaBlic/