Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës ka filluar me akuza ndërmjet deputetit të Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK-së Anton Quni dhe nënkryetarit të Kuvendit Xhavit Halitit, lidhur me marrjen e 8 milionë markave në emër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nga Qeveria e Bujar Bukoshit, saktësisht nga Ministri i Mbrojtjes, Ahmet Krasniqi.
Quni, ka njoftuar Halitin se të gjitha dëshmitë që i posedon lidhur me rastin do t’ia përcjell administratës së Kuvendit.
E ky paralajmërim i tij, nuk i pëlqeu Halitit i cili tha se administrata e Kuvendit nuk është një organ kompetent për dokumente të tilla. Ai sqaroi
shkurtimisht se rasti kishte ndodhur në shtëpinë e deputetit nga radhët e NISMA-s Bilall Sherifi, ku tha se ka pranuar një shkresë nga Ministri i Mbrojtjes në Qeverinë “Bukoshi” Ahmet Krasniqi, se do t’i dhënë të gjitha mjetet financiare që i kanë poseduar në atë kohë për UÇK-në.
“Ahmeti ka premtuar se të gjitha mjetet që janë në disponim të qeverisë së Kosovës në mërgim do të ia përcjell Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, tha Haliti, duke ju drejtuar Qunit se atë nuk e ka njohur në atë kohë dhe nuk ka bashkëpunuar me të.
Debati mes tyre ka përfunduar me vendim të kryetarit të Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli, i cili u ka sygjeruar deputetëve që të therrasin një debat parlamentar lidhur me rastin.