Legjenda e Manchester Unitedit, Paul Scholes, që njëherish ka qenë edhe ndër kritikët më të ashpër të Paul Pogbas, së fundi e ka lavdëruar mesfushorin francez, duke thënë se ai mund të bëjë gjithçka në fushën e lojës dhe se posedon shumë cilësi të ngjashme me Steven Gerrardin.
Paul Pogba u kthye në Old Trafford, ku e kishte filluar karrierën si profesionist, nga Juventusi për 89 milionë funte në verën e vitit 2016, pasi e kishte fituar statusin si njëri ndër mesfushorët më të mirë në botë gjatë periudhës katërvjeçare të tij në Allianz Stadium, transmeton Gazeta Express.
Ai ka shfaqur shpeshherë pjesë të asaj forme edhe në Mançester, mirëpo më shumë është diskutuar për sjelljen e tij. 27-vjeçari fillimisht cilësohej futbollisti që do ta kthente lavdinë në Old Trafford pas katër vjetëve pa titull të Premierligës, mirëpo ai ka arritur ta fitojë vetëm trofeun e Kupës së Ligës dhe atë të Ligës së Evropës që kur është kthyer.
Pogba e shprehu dëshirën e tij për ta nisur një sfidë të re në karrierën e tij në fund të sezonit të sezonit, mirëpo Ole Gunnar Solskjaer në fund arriti ta bindë atë të qëndrojë në Teatrin e Ëndrrave të paktën edhe për një vit tjetër.
Megjithatë, një lëndim në kyçin e këmbës ia ka pamundësuar yllit francez të kontribuojë aq sa të donte ai gjatë sezonit 2019/20, përderisa spekulimet për të ardhmen e tij vazhdojnë të intensifikohen tani që jemi afër afatit kalimtar të verës.
Megjithatë, Scholes, përkundër kritikave të shumta që ia kishte bërë francezit në të kaluarën, thotë se ai është tifoz i madh i Pogbas, por shton se 27-vjeçari mund të bëjë edhe më shumë sesa që ka treguar në vitet e fundit.
“Unë luajta për një periudhë të shkurtë bashkë me Pogban dhe të gjithë e dinë se sa i talentuar është ai. Ai ishte brilant për Juventusin, brilant për Francës dhe shumë i mirë këtu në United gjithashtu”, ka thënë Scholes.
“Ai mund të bëjë gjithçka si mesfushor dhe mund ta ngjasoni atë me Steven Gerrardin sa i përket shpejtësisë së tij, fuqisë dhe aftësive. Ai mund të bëjë absolutisht gjithçka”.