Bora e cila ka rënë ditëve të fundit ka shkaktuar vështirësi në qarkullimin e komunikacionit, duke shkaktuar kështu edhe probleme për qytetarët, të cilët kanë fajësuar organet kompetente për mosndërmarrjen e masave adekuate për pastrimin e rrugëve dhe të trotuareve
B. K., qytetar në komunën e Prishtinës, i ka thënë gazetës “Zëri” se e ka shumë të vështirë që të ecën në trotuar pasi rrugët janë të papastruara.
“Po kemi vështirësi, rrugët janë të papastruara, trotuaret janë të papastruara. Institucionet asnjëherë nuk kanë bërë sa duhet që t’i pastrojnë rrugët, çdoherë gjërat shkojnë duke u zvarritur te ne”, ka thënë ai.
Po ashtu edhe M. H. tregon që e ka shumë problem të ecën nëpër trotuare pasi borën të cilën e largojnë nga rruga e hedhin në trotuar dhe ajo bëhet baltë.
“Trotuaret janë shumë të papastra, ka shumë borë, pasi pastrojnë rrugën balta që bie në trotuar ndikon që rrugët të jenë edhe më vështirë të kalueshme”, ka thënë ajo.
MI: Të gjitha rrugët janë të kalueshme
Në anën tjetër Rexhep Kadriu, zëvendësministër në Ministrinë e Infrastrukturës, ka thënë se kompanitë e angazhuara nga Ministria kanë pastruar të gjitha rrugët magjistrale në të gjithë Kosovën.






















