Kjo verë doli të jetë mjaft e bereqetshme për futbollin gjilanas. Të dyja klubet e këtij qyteti, Gjilani dhe Drita, dolën në dritë duke siguruar të ardhura financiare nga investitorë të rinj.
Fillimisht, klubi i “Skifterëve” ia hapi dyert kompanisë gjermane “Rahmer”, ndërsa tani klubin e “Intelektualëve” e mori në dorë biznesmeni kosovar, i cili vepron në mes Zvicrës dhe Dubait, Valon Murseli. Ky i fundit u zgjodh kryetar i Dritës, e cila po ashtu e ka modifikuar kryesinë.
Gjermanët kanë hyrë në Gjilan për ta aplikuar një filozofi të futbollit gjerman, përmes së cilës besojnë se klubin kuqebardhë do ta çojnë drejt majave të futbollit kosovar. Të njëjtat maja i synojnë edhe investitorët e rinj të Dritës, të cilët kanë premtuar se do ta bëjnë krenarë çdo tifoz që vetes i thotë “Intelektual”.
Drita dhe Gjilani kaherë kanë qenë klube shumë të respektuara në Kosovë, sidomos në vitet e para të pasluftës, kur pesha e tyre ishte e madhe në futbollin kosovar. Por, elitën kosovare e bëjnë edhe më të pasur dy klubet e gjilanasve për shkak të rivalitetit tradicional e të jashtëzakonshëm që kanë mes vete.
Derbi i këtyre dy ekipeve nga Gjilani, “El Anamorava”, konsiderohet më i madhi, më i veçanti dhe më i hijshmi në vend. Dhe, si i tillë derbi “El Anamorava” është bërë i njohur edhe jashtë Kosovës.
Krejt kjo ka ndodhur në kohët më të vështira, pra atëherë kur futbolli kosovar ishte i izoluar në katër anët, kurse vetë klubet luftonin kundër shuarjes. Mirëpo, investitorët e rinj kanë dhënë shpresa se tash e tutje xhirollogaritë bankare të Gjilanit e Dritës nuk do të jenë të zbrazëta edhe në minuse.
Riorganizimi i të dyja klubeve tashmë ka nisur. Përforcimet me futbollistë, po ashtu. Ndërsa, tani Kosova mezi e pret takimin e radhës të rivalëve të moçëm, por me fytyra të reja, të cilët tash e tutje nuk do t’i synojnë fitoret vetëm në derbitë e zjarrtë në mes tyre, por do të kërkojnë edhe tituj e kupa karshi klubeve më të trofeshme, si FC Prishtinës, Besës, Trepçës apo Feronikelit. /Zeri